Efektivët e policisë së shtetit kanë vijuar punën në terren për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve në disa qarqe. Në njoftimin për mediet, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, arrestuan në flagrancë shtetasin Xh. V., 59 vjeç, banues në Hoxharë e Vjetër, Fier, pasi duke djegur barëra të thatë, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe është djegur një sipërfaqe me bimësi në vendin e quajtur “Grykëderdhja e lumit Seman”.

Gjithashtu, po nga këto struktura u procedua penalisht shtetasja J. M., banuese në Grykë, Fier, pasi duke djegur disa barëra të thatë, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe për pasojë ka dëmtuar pronën e tjetrit duke i djegur bazën ushqimore të blegtorisë. Ndërsa specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Librazhd proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”, një 14 vjeçar pasi dyshohet se në fshatin Pishkash, Librazhd, ka djegur barishte në pronën tij, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe është djegur një sipërfaqe toke pyjore me shkurre dhe dushk.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke ju garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.