Nga Ylli Pata/ Politika shqiptare e pas 25 prillit i ngjan situatës pas “Betejës së Stalingradit”, ku njëra palë është e tronditur nga disfata e rëndë në betejë, në të cilën kishte investuar gjithçka, e pala tjetër duket e ezauruar.
Si mazhoranca, ashtu edhe opozita, duket se kohën e pushimit, e kanë shfrytëzuar më së miri për të fshehur dhe mungesën e një ideje të qartë se ç’duan të bëjnë me stinën më të re politike në vend.
Në fakt, mazhoranca, pra Edi Rama e ka bërë të qartë se dëshiron një stinë të re politike, jo “pandemike”, e ka shprehur se nuk do t’i përgjigjet s ulmeve të opozitës, por do të vijojë punët e mandatit të tretë qeverisës, duke qenë kjo edhe një shenjë për një sezon bashkëpunimi politik.
Por nga ana tjetër, nga mazhoranca, aktorë të saj, nuk ka ende ndonjë ide apo piketa si do të jetë apo si ata e mendojnë të jetë ky mandat i tretë, në qeverisje, në mënyrën e të bërit të politikës në parlament, përzjedhjen e njerëzve në ekzekutiv, administratë, si dhe logjikën e një drejtimi jo arrogant e me duart e pastra në këto 4 vjet.
I vetmi zë që ka qenë edhe si “I vetëm në shkretërirë” ishte ai i Petro Koçit, i cili qartësisht shpalosi qëndrimin se PS duhet të ketë një administratë të pastër dhe të papërfolur, shërbyese të njerëzve, e pa lidhje me grupe e klane të nëntokës.
Megjithatë, ajo që stonon më shumë në këtë rast është natyrisht opozita shqiptare, së cilës i takon të jetë zëri i shoqërisë në rinovimin e vendit, duke sjellë e imponuar ide e propozime, që të bëhen lejtmotiv të debatit publik.
Opozita përpara 25 prillit na u paraqit, si një grup i gjerë që përfaqëson shoqërinë, jo vetëm një grupim politik, me disa parti politike, pra si një aleancë e gjerë ku përveç Bashës e PD-së ishte edhe LSI-ja e Kryemadhit, PR-ja e Mediut, partia e Dukës, Shehit, Nokës, Idrizit, Vangjel Dules etj.
I gjithë ky “ansambël i gjerë” zërash, që na u përcoll jo si kompleks por si një përfaqësim i gjerë i shoqërisë, ka humbur në terr, pasi askush nuk flet prej 25 prillit.
Nga Partia Demokratike, i vetmi që flet është Tritan Shehu, i cili edhe është po i vetmi që mbron Sali Berishën prej ndëshkimit nga Deparamenti Amerikan i Shtetit. Tritani, një ditë mbron doktorin, e një ditë sulmon Ramën për Covid 19, kur vetë opozita pikërisht për pandeminë ka qenë si kova në pus, e nuk ka pasur asnjëherë asnjë qëndrim të qartë, por është varur tek zërat që vijnë nga mjekë që kanë mendime alternative me ato të komitetit teknik të ekspertëve.
Ndërkaq, LSI-ja e Monika Kryemadhit dhe e Ilir Metës është në një heshtje të gjatë politike, që duket varet nga qëndrimi i gjykatës Kushtetuese për shkarkimin e Presidentit, dhe konjukturat që krijohen prej saj.
Po mirë, po drejtuesit e partive aleate të PD-së, pse kanë humbur? Kur pikërisht këtë “thatësirë” të sjellë prej të mëdhenjve mund ta shfrytëzojnë për ta zënë fushën me politikën e tyre, që sido të jetë mund t’i japë zë opinionit publik.
Aq gjëra ka për të folur, sa asnjëherë nuk do ta kenë mundësinë pikërisht këto parti të vogla për të qenë protagoniste.
Po përse heshtin?! Shumë e thjeshtë; sepse nëse flasin duhet të thonë diçka për Berishën Non Grata, për Fatmir Mediut që i janë hapur hetimet, apo edhe për shkarkimin e Ilir Metës. Nuk po flet as Idrizi për çështjen çame, apo Dule për minoritetin grek.
Nuk flasin pasi nuk e dinë rolin e tyre në parlamentin e ri. Do të rrijnë në grupin parlamentar të PD-së, e cila i ka zgjedhur deputetë, apo do të formojnë një grup tjetër “indipendent” por partner në opozitë? Diçka e kanë në mendje “pesë fantastikët” e Lulzim Bashës, se si ata e mendojnë organizimin e ri, por duket se “çështja Berisha” është më shumë se ç’duhet e koklavitur për tu shprehur qesim.
E mbetet që zërin e marrin debatet pa bukë që dalin si për konsum si ajo për afganët apo gjëra të tjera të ditës.
Megjithatë, edhe për çështje të tilla, si ajo e afganëve përveç Edi Ramës eLulzim Bashës, duhet të ketë zëra të tjerë si opozita, ashtu edhe mazhoranca. Si vend i NATO-s, natyrisht që debati për këtë çështje duhet të jetë pjesë e politikës e oponionit publik, që më pas të përpunohet e të bëhet vendim në Parlament apo qeveri.
Nuk janë vetëm vendet e mëdha që po diskutojnë për këtë çështje, por edhe shtetet e tjera të vogla anëtare të Aleancës. Mali i Zi për shembull vendosi të mos pranojë asnjë refuugjat afgan, e kështu pati diskutime edhe nga anëtarë të tjerë të vegjël të NATO-s.
Këtu tek ne është paksa surreale situata: edhe gjithë katërvjeçarin akuzohet Rama apo edhe Basha për monipolizim të politikës, për përqëndrim të vendimeve etj etj, por kur krijohet edhe një hapësirë e vogël për ta zënë këtë rol, bien në qetësi për të pritur nga lart…