“Sot nuk ka asnjë vatër aktive zjarri në qarkun e Beratit, ku përfshihen pesë bashkitë, Berat, Kuçovë, Ura Vajgurore, Poliçan, Skrapar”, deklaroi sot për ATSH, prefektja e qarkut të Beratit, Valbona Zylyftari.
Prefektja tha se “kemi pasur dy vatra të vogla të zjarrit që u shfaqën një ditë më parë, njëra në anë të Kalasë së Beratit dhe tjetra në bashkinë Skrapar, të cilat u vunë në kontroll dhe u shuan në kohë rekord nga ndërhyrja e zjarrfikëseve”.
Zylyftari bëri të ditur se, aktualisht situata e zjarreve në qarkun e Beratit, nga temperaturat e larta që kanë prekur vendin tonë, është në kontroll të plotë.
“Strukturat përkatëse janë në gatishmëri të plotë dhe bashkë me Emergjencat Civile po monitorojnë dhe po mbajnë në kontroll çdo situatë që mund të paraqitet”- tha Zylyftari për ATSH-në.