Temperaturat në vendin tonë kanë nisur të freskohen. Sipas sinoptikanëve moti do vazhdojë të jetë i kthjellët, kjo situatë do të vijojë deri ditën e mërkurë pasdite ku pritet ardhja e një sistemi vranësirash.

“Fillimisht në zonën veriore duke sjellë reshje të pakta shiu dhe gjatë ditës së enjte presim rrebeshe afatshkurta shiu në pjesën më të madhe të vendit tonë”, tha sinoptikania Adiola Bani.

Por dita e premte dhe fundjava do të përmirsojnë sërish kushtet atmosferike duke rikthyer kthjellimet ndërsa reshjet mbeten të pakëta dhe të izoluara.

Sipas Meteoalb, për sa i përket temperaturave të ajrit, në këtë fillim jave vlerat termike do jenë deri në 37 gradë por e mërkura sjell rënie me dy gradë dhe dita e enjte do bëjë që termometri të zbresë deri në 33 gradë celcius.

“Fundjava do sjellë rritje të lehtë të vlerave termike. Era gjatë kësaj fillim jave do të jetë mesatare gjatë mesditës, por e mërkura dhe në vijim na sjellin erë të fortë jo vetëm në det të hapur por edhe në Ultësirën Perëndimore”.