Në kushte normale, tani rrjetet sociale do të përmbyteshin me mesazhe lamtumire dhe homazhe nga të gjitha llojet nga futbollistët e Barcelonës për Leo Messin, por kjo s’po ndodh, të paktën jo deri më tani. Asnjë lojtar nuk ka folur apo shprehur mendim pasi klubi konfirmoi se Messi do të largohet nga Barcelona.

Shokët ende nuk i kanë dhënë lamtumiren, madje as Pique e as Roberto, të cilët janë shumë aktiv në rrjetet sociale, por këtë e kanë bërë ish shokët, Cesc Fabregas dhe Carles Puyol. Ata e kanë falënderuar për gjithçka, duke i uruar më të mirat. Por te Barcelona, për momentin është heshtje totale, që sipas mediave spanjolle, mund të ketë një prapavijë befasuese. Madje në Spanjë raportohet se Barça mund ta ketë bërë këtë veprim për t’i bërë presion LaLigës që ta ndihmojë dhe ta mbajë ende Messin, pasi sipas tyre, vetë gjendja e rëndë ekonomike s’po ia mundëson, pasi akordi është mes dy paleve.

Sido që të jetë, numri një i klubit, Joan Laporta do të dali sot dhe të flas për të sqaruar gjithçka.