Kthimi i të rinjve në atdhe dhe dixhitalizimi i shërbimeve për t’i dhënë fund korrupsionit në administratë, do të jenë dy nga objektivat e qeverisë Rama3. Kjo u bë me dije sot nga kryeministri Edi Rama, i cili tha se ka ende shumë punë për t’u bërë në këto dy drejtime.
“Prioritet i Shqipërisë së 2030 do të jetë kthimi i trendit negativ të largimeve në raport me kthimin në atdhe. 4 portet e reja turistike, ai i Sarandës ku ka nisur puna, i Vlorës që nis në javët e ardhshme, Shëngjini që është në ende në fazën përgatitore dhe ai në Durrës, janë vetëm një nga blloqet e mëdha të programit konkret të investimeve të huaja që do na mundësojnë rritjen ekonomike. Por pa rritur më tej cilësinë e shërbimeve të shtetit për qytetarin, pa forcuar sensin e drejtësisë, zbatimin praktik të Reformës në Drejtësi, rritja e ekonomisë nuk do të mjaftojë për ta ngjitur Shqipërinë në majën ku duam. Me dixhitalizimin kemi ndërprerë ndërveprimin korruptiv mes individëve dhe personave, me dixhitalizimin e shërbimeve, që do ta çojmë në një nivel tjetër marrëdhënien mes individëve dhe shtetit dhe goditjen e korrupsionit në administratë. Dixhitalizim për të zmbrapsur kudo hijen e bakshishit e ryshfetit, duke futur shtetin në kompjuterin e qytetarit, do të jetë lajtmotivi i kësaj qeverie”, tha Rama.