Rimëkëmbja e ekonomisë është reflektuar edhe në tregun e punës, ku sipas të dhënave, numri i të punësuarve në qershor 2021 arriti në 710, 464 persona, nga 667,761 persona që ishte në qershor 2020.
Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën 7-mujore (janar – korrik 2021) reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve.
Të ardhurat totale për 7-mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 102 % të planit të 7-mujorit.
Ndërsa shpenzimet e përgjithshme publike, për 7-mujorin e vitit 2021, u realizuan në masën 96.4 % të planit të periudhës.
Në përputhje me parashikimet buxhetore dhe të indikatorëve makroekonomikë, niveli i deficitit në muajin e shtatë të vitit 2021 rezultoi në rreth 29.9 miliardë lekë.
Këto të dhëna tregojnë që ekonomia po ringrihet gjatë këtij viti.
Ndërkohë janë institucionet e rëndësishme financiare ndërkombëtare, si FMN apo Agjencia S&P që në vlerësimin e tyre të fillimit të gushtit konfirmuan për Shqipërinë vlerësimin aktual në “B+”, si dhe me perspektivë “të qëndrueshme”.