Varianti Delta i COVID është bërë dominant në vendin tonë, duke rritur ndjeshëm numrin e rasteve të infeksionit. Kjo u konfirmua nga epidemiologu Ilir Alimehmeti, në një intervistë për “Report Tv”.
Megjithatë, sipas epidemiologut, tregues për situatën nuk është numri i rasteve të infeksionit, por shtrimet në spital, që janë në nivele mjaft të ulëta. Kjo, sipas tij tregon se pavarësisht infeksionit të lartë, rastet e rënda të sëmundjes janë të pakta dhe faktorët që kanë ndikuar për këtë janë disa, duke përmendur vaksinimin, faktin që disa e kanë kaluar edhe më parë COVID, apo edhe temperaturat e larta.
“Është rritur infektimi, por mbetet i ultë numri i pacientëve në spital, ka ndikuar vaksinimi, fakti që shumë persona e kanë kaluar njëherë, moti i mirë që mund të ndikojë, rrezatimi ultraviolet që mund të ndikojnë që pacienti të ketë ngarkesë virale më të ulët. Në verë edhe imuniteti i njeriut është më i lartë, ndryshe nga në dimër. Delta tani është dominant, në nivel europian 98.1% e rasteve janë delta, por shihet një klinikë më e butë me Deltën. Ky është problemi sepse zbutet klinika, njerëzit dyshojnë kanë gjë apo jo dhe dalin të lirë e kjo ndikon në përhapje”, tha mjeku.
Alimehmeti theksoi se Delta ka filluar t’i ngjajë gripit sezonal, pra sëmundja zgjat pak, në krahasim me COVID në fillimet e pandemisë, ku simptomat vazhdonin për ditë të tëra.
“Klinika është shkurtuar, pra sëmundja zgjat më pak. Delta ka filluar t’i ngjajë gripit sezonal, variantet e tjera do t’i afrohen gripit. Kush e ka kaluar COVID, kush është vaksinuar, është i mbrojtur ndaj formave të rënda të sëmundjes, shtrimeve në spital. Të shtruar në spitale, 95% e njerëzve janë të pavaksinuar. Ka filluar t’i ngajë gripit ku raste të reja ka shumë, por shtrime në spital pak. Kjo është arsyeja pse shumë shtete nuk shohin më numrin e rasteve të reja, por përqinjen e shtretërve spitalorë që zihen. Lupa është vetëm në spital, jo te rastet e reja”, theksoi ai.
Në lidhje me vaksinimi e grave shtatzënë, mjeku tha se kur nëna është e vaksinuar, antitrupat i kalojën edhe fëmijës kur lind, por megjithatë ai rekomandoi më mirë një mbrojtje natyrale për gratë që presin të bëhen nëna. Kjo për faktin se nuk ka ende të dhëna të plota nga studimet për vaksinimin e grave shtatzënë.
“Antitrupat kalojnë nga nëna te fëmija, ata kanë antitrupa kur lindin. Por moshat nën 18 vjeç, përfshirë dhe foshnjat janë shumë të mbrojtur edhe vetë. Mundësia që të kalojën antitrupat është shumë e lartë dhe nëna e mbron fëmijën në këtë mënyrë, por nuk është vetëm ky element që duhet parë. Shtatzënia nuk është sëmundje, por gjendje shëndetësore e veçantë ku ne i ruhemi gjithçkaje. Duhet parë në mënyrë më komplekse, nëse është mundësia që nëna të rri e distancuar të ruaj në mënyrë natyrale shëndetin e saj dhe të fëmijë, kjo është më e këshillueshme. Për të tjerat nuk kemi të dhëna për gra që janë vaksinuar dhe më pas kanë mbetur shtatzënë, por janë vaksinuar ndërsa ishin shtatzënë”, theksoi mjeku.
Ai vuri theksin edhe njëherë te rëndësia e vaksinimit, duke u shprehur se ul ndjeshëm rrezikun e formave të rënda të sëmundjes, ndërsa i bëri apel qytetarëve që t’i drejtohet qendrave të vaksinimit.
“Vaksinimi ul tmerrësisht shumë rastet e rënda. Kush nuk është vaksinuar, t’ drejtohet qendrave të vaksinimit”, bëri thirrje Alimehmeti.