Qyteti i Tetovës pritet t’iu nënshtrohet masave të reja anti-COVID. Ky lajm është bërë me dije nga ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe i cili është shprehur se është e nevojshme të merren masa të reja sepse numri i të infektuarve po rritet.
Ministria e Shëndetësisë dhe Komisioni për Sëmundjet Infektive i kanë rekomanduar Qeverisë planin e ri të masave. Në këtë plan parashikohet që të ndalohen të gjitha eventet si dasmat apo festat e tjera. Ndërsa ambientet e brendshme të restoranteve nuk duhet të mbushen më shumë se 30% e kapacitete, teksa në tavolinë do të lejohen vetëm 4 persona.
“Objektet e hotelierisë nuk duhet të mbushin më shumë se 30% të kapaciteteve ndërsa tavolinat nuk duhet të kenë më shumë se katër persona. Zbatimi i këtyre masave do të pasohet nga kontrolle të intensifikuara. Qytetarët duhet të kuptojnë se kjo masë është e nevojshme. Do të përforcojmë aktivitetet në terren në mënyrë që të rritet imunizimi, sepse është e qartë se vetëm me vaksinim mund të parandalojmë përhapjen dhe rreziqet e sëmundjeve të rënda tek pacientët”, ka thënë Filipçe.
Gjendja epidemiologjike në qytetin e Tetovës në Maqedoninë e Veriut është përkeqësuar. Vetëm brenda një muaji në këtë qytet numri i të infektuarve është rritur nga gjashtë në 229 të infektuar. Në Tetovë aktualisht ka 379 raste aktive me COVID-19.