1 gushti i këtij viti shënon 730-vjetorin e Kartës Federale dhe themelimit të Konfederatës së Zvicrës, e cila prej vitit 1899 është shpallur Festë Kombëtare e Konfederatës. Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka përshëndetur sot me një mesazh urimi Festën Kombëtare të Zvicrës. Karta Federale, shkruan Ruçi është dokumenti më i hershëm kushtetues i Zvicrës, faktor themelor i historisë dhe kulturës së këtij vendi, një simbol i unitetit dhe bashkimit të popullit zviceran kundër rreziqeve që shkaktojnë dhuna dhe padrejtësitë shoqërore.

“1 gushti i këtij viti shënon 730-vjetorin e Kartës Federale dhe themelimit të Konfederatës së Zvicrës, e cila prej vitit 1899 është shpallur Festë Kombëtare e Konfederatës. Me këtë rast përcjell urimet më të përzemërta për popullin mik zviceran, Këshillin Kombëtar të Zvicrës dhe Presidentin e Këshillit, Andreas Aebi. Karta Federale është dokumenti më i hershëm kushtetues i Zvicrës, faktor themelor i historisë dhe kulturës së këtij vendi, një simbol i unitetit dhe bashkimit të popullit zviceran kundër rreziqeve që shkaktojnë dhuna dhe padrejtësitë shoqërore. Karta Federale dhe Konfederata e themeluar në bazë të saj janë pararendëset e Shtetit Federal demokratik të Zvicrës, themeluar më 1848. Këto tradita të konsoliduara kanë mbështetur e garantuar kohezionin social, si një ndër tiparet thelbësore të shtetformimit dhe zhvillimit të Zvicrës moderne e demokratike.

Në emër të Kuvendit të Shqipërisë, gjej rastin të nënvizoj miqësinë dhe respektin e thellë për popullin zviceran dhe kontributin e tij për paqen, historinë dhe kulturën botërore. Zvicra është ndër donatorët dhe partnerët tregtar më të rëndësishëm të Shqipërisë. Midis dhjetra marrëveshjeve të nëshkruara midis të dy vendeve në fusha të tilla si tregtia, transportet, ekonomia, siguria, energjia, bujqësia, etj., dëshiroj të veçoj financimin prej Qeverisë së Zvicrës të programit për modernizimin e shërbimeve të Kuvendit të Shqipërisë, i cili është duke u zbatuar. Diaspora shqiptare, e cila jeton e punon në Zvicër është gjithashtu një urë miqësie e bashkëpunimi midis të dy vendeve tona”, shkruan në mesazhin e urimit Ruçi.