Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cilësoi sot akt kriminal ndaj trashëgimisë kulturore, zjarrvënien e qëllimshme në godinën “Sarajet” në Tiranë. Margariti inkurajoi organet e kompetente të zbardhin ngjarjen dhe të vënë përgjegjësit para ligjit. Po ashtu, ministrja Margariti u shpreh se duke parë situatën e krijuar, godina do të shpronësohet me procedurë të përshpejtuar.
“Ministria e Kulturës mbështet Bashkinë e Tiranës në nismën për ta shndërruar këtë godinë në një objekt kulturor, publik, duke ruajtur vlerat e saj unike. Falënderojmë për ndërhyrjen e menjëhershme punonjësit e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe për Shpëtim, që luftuan me flakët e zjarrit, punonjësit e Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake, Bashkisë së Tiranës, punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, por edhe çdo qytetar të thjeshtë që ka kontribuar në shuarjen e zjarrit e do të ndihmojnë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje të paprecedentë”, tha Margariti.
Margariti kujtoi se për vlerat e saj arkitektonike dhe historike, godina e shek. XIX, e njohur si “Sarajet”, në rrugën “Alqi Kondi”, u shpall në vitin 1973, monument kulture e kategorisë I.
“Që në orët e para të ditës së sotme nga ana e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Tiranë është bërë kallëzimi pranë Komisariatit të Policisë nr. 1, Tiranë, me dyshimin se bëhet fjalë për një zjarrvënie të qëllimshme, për të zhvlerësuar godinën dhe tjetërsimin e funksionit të saj. Kjo godinë, e cila ka kryer funksionin e Bibliotekës së parë Kombëtare ka qenë pronë e shtetit deri në vitin 2000, kur iu kthye ish-pronarëve të saj.
Së fundmi Bashkia Tiranë kishte nisur procedurat e shpronësimit, për ta shndërruar në një institucion kulturor publik”, tha ajo.