SHBA-ja arriti sot nivelin 70 për qind të të rriturve që kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës antiCOVID-19, rreth një muaj pas datës së vendosur nga presidenti amerikan Biden, në një kohë kur shtrimet në spital kanë arritur nivele të krahasueshme me ato të valës së verës së kaluar. Të dhënat e Qendrës për Parandalimin dhe Përhapjen e Sëmundjeve (CDC), agjencia kryesore e shëndetit publik të SHBA-së, tregojnë se 60,6% e të rriturve dhe 49,7% e popullsisë totale janë plotësisht të vaksinuar. Joe Biden kishte shfaqur më herët objektivin për të arritur shifrën prej 70 për qind më 4 korrik, dita e festës kombëtare amerikane.

Por ngadalësimi i fushatës së vaksinimit, veçanërisht në rajonet tradicionalisht konservatore të Jugut dhe Midwest-it, si dhe në mesin e popullatave më të reja, të varfra dhe të pakicave etnike, ka penguar vendin për të arritur këtë objektiv. Kjo vonesë, e kombinuar me përhapjen e variantit shumë ngjitës Delta, ka shkaktuar një rritje të konsiderueshme të rasteve ditore, që ka arritur tashmë në 70 000 dhe po rritet me shpejtësi. Çdo ditë, spitalet në të gjithë vendin pranojnë mesatarisht 6 200 pacientë me COVID-19 në ditë, dhe më shumë se 300 persona humbin jetën nga sëmundja. “Këto raste janë përqendruar në komunitetet, ku përqindjet e vaksinimit janë më të ulëta”, theksoi për gazetarët, Jeff Zients, koordinator i luftës kundër pandemisë në Shtëpinë e Bardhë.

“Një në tre raste në nivel kombëtar është zbuluar në Florida dhe në Teksas javën e kaluar”, theksoi ai.