Banka e Shqipërisë llogarit se shpenzimet ishin 145.2 miliardë lekë në tremujorin e dytë, ose rreth 14.5% më të larta se i njëjti tremujor një vit më parë. Referuar raportit mbi politikën monetare të publikuar së fundmi nga BSH, rritja e shpenzimeve u mbështet nga të gjithë zërat e shpenzimeve, duke kompensuar dhe efektin negativ prej 9 pikësh përqindjeje nga transfertat e drejtpërdrejta të kryera një vit më parë.
Peshën kryesore në rritjen e shpenzimeve të këtij tremujori e mbartën shpenzimet për investime, fondin e rindërtimit, si edhe shpenzimet për sistemin shëndetësor. Sipas raportit, shpenzimet për investime publike në tremujorin e dytë ishin 22.4 miliardë lekë, ose rreth 33% më të larta në terma vjetorë. Në gjysmën e parë të vitit u realizuan rreth 263.4 miliardë lekë shpenzime buxhetore, nivel ky 12.7% më i lartë në terma vjetorë.
Profili i rritjes së shpenzimeve për gjashtë muajt e parë të vitit nuk ka ndryshime nga ai i tremujorit të dytë, ku spikat roli i fondit të rindërtimit, investimeve publike dhe shpenzimeve për fondet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, në rritjen e totalit.