Nga Aranit Muraçi/ Kriza afgane ka nxjerrë në sipërfaqje përplasjet politike mes SHBA-ve dhe vendeve rivale si dhe atyre aleate. Shqipëria është një vend i vogël, për të qenë pjesë e një krize globale. Si aleate e SHBA-ve, vendi ynë ashtu si edhe Kosova dhe Maqedonia e veriut kanë pranuar refugjatë, të cilët më pas janë planifikuar të udhëtojnë për të jetuar në SHBA. Evakuimi i vështirë i afganëve nga Kabuli ka bërë që të vonojë mbërritja e tyre, duke ndezur një tjetër debat: Pse nuk po vijnë afganët në Shqipëri?
Deri tani për arsye politike Rusia dhe aleatët e saj kanë refuzuar të pranojnë, por edhe të bashkëpunojnë për evakuimin e afganëve, pas krizës në Afganistan.
Edhe vende të njohura perëndimore si Austria dhe Zvicra, kanë refuzuar të pranojnë emigrantë afganë. Vende si Greqia, Turqia, Suedia dhe Gjermania morën shumicën e emigrantëve nga Lindja e Mesme në vitin 2015, prandaj nuk kanë ndërmend të pranojnë të tjerë, ose do të pranojnë një numër shumë të kufizuar.
Shtetet e Bashkuara kanë akorduar 500 milion dollarë për të përmbushur nevojat “urgjente dhe të papritura” të refugjatëve, përfshirë aplikuesit për viza speciale afgane të imigracionit (SIV). Joe Biden nuk specifikoi se sa refugjatë do të marrë SHBA por dokumente qeveritare të siguruara nga “Fox News” zbulojnë planet për të zhvendosur 30,000 refugjatë afganë dhe aplikantë për viza në bazat ushtarake, në të gjithë SHBA-të.
Përpara vendosjes në SHBA, disa nga refugjatët do të strehohen përkohësisht në Shqipëri, Kosovë ose Maqedoninë veriore – tre vendet e Ballkanit, të cilat janë zotuar më herët se do të mirëpresin afganët. Pra, vetëm në Shqipëri dhe vendet fqinje emigrantët janë planifikuar të jenë të përkohshëm.
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se vendi i saj do të japë azil edhe për rreth 10.000 afganë që kanë punuar me ushtrinë së bashku me avokatët dhe aktivistët e të drejtave të njeriut. Franca ka pranuar një numër më të vogël, përfshirë gazetarë, aktivistë, por pa e specifikuar atë, ashtu si edhe Hungaria.
Kanadaja ka pranuar të marrë 20 mijë afganë, po aq sa edhe Britania e Madhe, por kjo e fundit do t’i marrë përgjatë 5 viteve të ardhshme. Britania e Madhe, aleati më i madh i SHBA-ve, do të pranojë gjatë vitit të parë vetëm 5 mijë afganë. Australia do të pranojë 3 mijë.
Taxhikistani, Irani, Pakistani dhe India, vendet fqinje që kanë pritur deri tani shumicën e afganëve dhe nga vala e fundit mund të presin deri në 3 milion refugjatë. Në vitin 2020, Gjermania, Turqia, Austria, Franca, Greqia, Suedia, Zvicra, India, Italia, Mbretëria e Bashkuar etj.
Përballë një krize globale, shqetësimi se a duhet të pranojë Shqipëria refugjatë po zëvendësohet me një tjetër: Pse nuk po vijnë!
Në vend që të kishte një shqetësim akoma më real: Ku do të strehohen, kush do të kujdeset dhe siguria e tyre?