Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit është një nga sektorët më me potencial për ekonominë shqiptare. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bën të ditur se në fund të vitit 2020 u regjistruan 2974 kompani TIK aktive. Sipas Denaj, Shqipëria renditet e para në rajon, për sa i përket numrit të të diplomuarve në IT për banorë.

“1787 studentë u diplomuan në Teknologji Informacioni dhe Komunikim në vitin akademik 2020-2021. 28.2 % e ndërmarrjeve në vitin 2020 kishin specialistë në TIK, ndërsa 12.8 % e tyre shitën produkte ose shërbim me e-comerce. Kompanitë u mbështetën për aftësinë konkurruese dhe kapacitetet novatore, ndërsa kuadri ligjor është i përafruar me legjislacion dhe politikat e BE-së“, u shpreh Denaj. Sipas saj, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), mbështet kompanitë për t’u zhvilluar dhe rritur në treg.