Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim foli para mediave për strehimin e afganëve në vendin tonë duke thënë se ende nuk ka një numër konkret të personave që do të mbërrijnë në Shqipëri.
Megjithatë sqaroi se qëndrimi i afganëve në Shqipëri është i përkohshëm pasi do të shkojnë më pas në SHBA.
“SHBA është mirënjohëse ndaj Shqipërisë për këtë vendim. Nuk ka një numër konkret ende. Afganët që do të vijnë, do të qëndrojnë përkohësisht me idenë që do të shkojnë më pas në SHBA. Disa prej tyre po shkojnë direkt në SHBA. Nuk e di ende numrin, ky është i gjithë informacioni që kemi”, tha Kim pas takimit që zhvilloi me ministren Olta Xhaçka.
Thuhet se rreth 2 mijë afganë pritet të strehohen në vendin tonë, pas situatës kaotike të krijuar në Kabul nga talebanët, të cilët arritën të merrnin kontrollin e Agfanistanit. Rënia e Kabulit ka rihapur ndarjet për emigracionin në vendet evropiane, ndërsa udhëheqësit e qeverive po përgatiten për një rritje të pashmangshme të refugjatëve.
Mijëra afganë, nxituan në aeroportin në Kabul në përpjekje për të ikur nga Afganistani pasi talebanët morën kontrollin e kryeqytetit. Udhëheqësit e Shqipërisë dhe Kosovës thanë të dielën se kishin pranuar kërkesën nga Amerika për të pritur përkohësisht refugjatët politikë që kërkonin hyrje në SHBA.