Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka reaguar sot për sulmin terrorist në Kabul duke shprehur dhimbje për viktimat dhe gatishmërinë se Shqipëria është pranë aleatëve të saj SHBA në këtë moment të errët. “Shpreh dhimbjen për jetët e humbura nga sulmi terrorist në Kabul ku mes viktimave radhiten ushtarakë amerikanë të ekipeve të evakuimit dhe civilë afganë në përpjekje për të shpëtuar”, tha Peleshi në reagimin e tij. “Shqipëria është pranë aleatëve të saj SHBA në këtë moment të errët dhe shpreh mirënjohjen e saj për vendosmërinë e aksionit aleat për shpëtimin e jetëve të pafajshme të qytetarëve afganë që i largohen një regjimi të dhunshëm e kërcënues”, shprehet Peleshi.

“Gjithashtu shpreh pikëllimin për humbjen e jetëve të pafajshme të burra, gra e fëmijëve afganë që mbetën viktima në këtë sulm terrorist. Ngjarje të tilla e konfirmojnë më së miri nevojën për solidaritet dhe ndihmën që duhet treguar për këta njerëz fatkeq si dhe drejtësinë e vendimmarrjes sonë si shtet për pranimin e refugjatëve afganë”, përfundon Peleshi.