Flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është ulur në gjysëm shtizë sot në ambasadën e SHBA në Tiranë në nder të viktimave të sulmit terrorist në aeroportin e Kabulit.
“Sot, flamuri në Ambasadë është i ulur në gjysëm shtizë, teksa vajtojmë amerikanët e ekipit të shërbimit, të cilët humbën jetët e tyre në sulmin e tmerrshëm terrorist në Kabul, ndërsa me vetëmohim përpiqeshin të shpëtonin jetët e të tjerëve”, bëri të ditur ambasada e SHBA në Tiranë.
“Ne vajtojmë edhe për afganët, përfshirë fëmijët e vegjël, të cilët humbën jetën apo u plagosën në këtë sulm mizor. Zemrat tona ndiejnë dhimbje për jetët e heronjve tanë, të humbura në shërbim të lirisë dhe në shërbim të Amerikës, dhe për jetët e qytetarëve afganë, të humbura në kërkim të sigurisë dhe një të ardhmeje për të cilën të gjithë kemi të drejtë”, theksoi ambasada e SHBA.
“Prandaj, sot zemrat tona janë të mbushura me hidhërim, por ato janë të mbushura edhe me mirënjohje. Grupi i parë i qytetarëve afganë të cilët mbërritën mbrëmë në Tiranë, janë më shumë sesa njerëz të evakuuar. Ata janë jetë njerëzore të shpëtuara nga mundësia e pasojave tragjike. Ata janë gra, burra dhe fëmijë të cilëve u është ofruar diçka që ne e marrim të mirëqënë, një jetë. Mundësia për të jetuar dhe për të pasur një të ardhme. Dhe për këtë, ne si Ambasada Amerikane në Tiranë dhe Shtetet e Bashkuara, jemi mirënjohës për bujarinë dhe mikpritjen e pamasë të Shqipërisë dhe njerëzve të saj. Në kohë të tilla, ne nuk kemi kombësi, fe, ngjyra apo raca. Ne jemi qënie njerëzore që u shtrijmë dorën në ndihmë qënieve njerëzore si ne. Faleminderit Shqipëri!”, nënvizoi ambasada e SHBA.