Syri i Ciklopit ose siç i thonë ndryshe Gjurma e Ciklopit, rreth 4 km poshtë Krrabës, në fshatin e quajtur Skuterrë, në luginën e lumit Erzen është kthyer vitet e fundit në një nga destinacionet më tërheqëse turistike të Tiranës.
Rreth 20 m i gjerë dhe 120 m i thellë, kjo perlë natyrore tërheq turistë të aventurës kanë dëshirë të eksplorojnë natyrën e egër.
Përveç pamjes mahnitëse ai krijon mundësinë të notohet gjatë ditëve të nxehta të verës.
Ndodhemi këtu sepse na kishte thënë edhe shoqëria që është një vend shumë I bukur. Nuk e kishim vizituar asnjëherë dhe ishim vërtetë shumë kurioz për ta parë. Erdhëm, ecëm rreth 1 orë e 30 minuta në këmbë dhe kur erdhëm gjetëm një mrekulli. Na pëlqen shumë sepse është e mrekullueshme dhe ja vlen që të vizitohet edhe herë të tjera, shprehet Franci, një i ri cili së bashku me një grup shokësh kishin zgjedhur të kalonin fundjavën në këtë zonë turistike.
Një tjetër i ri, Reshati i cili në fillim po i rezistonte tundimit për t’u zhytur në ujërat e këtij pellgu të madh dhe të bukur u shpreh për ATSH se është pak e mundimshme dhe duhet të jesh pak i stërvitur, me pak mundim, por ja arrin. Është vend i qetë dhe ja vlen të vish disa orë që të relaksohesh, por është bukur. Po më tundon shumë në fakt, por që do të futem dhe do lahem. Besoj se pas dy javësh do të vijmë sërish, do të bëhemi një grup më i madh shokësh dhe shoqesh dhe do të vijmë.
Arseni është një tjetër qytetar i cili prej shumë vitesh jeton në SHBA dhe ka ardhur disa ditë me pushime në Shqipëri dhe që është shumë i tërhequr nga turizmi i aventurës.
Ne sot jemi nisur nga Kavaja sepse edhe jemi nga andej. U nisëm që para dy orëve. Ne detin e kemi më afër, por edhe kjo është një gjë e bukur. Mua më pëlqejnë lumenjtë, ujëvarat. Uji ishte pak i ftohtë sepse nuk ka edhe shumë diell për momentin. Unë pëlqej shumë aventurën dhe më pëlqen jo vetëm fakti që do vij këtu, por edhe mënyra se si do vij deri këtu, përgatitja, fakti që nuk e di se ku do të shkosh, pra aventura. Ky është vendi i bukur pa diskutim, por edhe mënyra se si kemi ardhur deri këtu, bisedat me shokët gjatë rrugës, ecja në këmbë, meraku nga qeni, ariu, {duke qeshur} të gjitha këto janë pjesë e aventurës, u shpreh ai.
Ndërsa Klajdi është një tjetër djalë i ri nga qyteti i Tiranës i cili vjen shpesh këtu tha për ATSH se kam ardhur këtu mbi 5-6 herë dhe më pëlqen shumë. Ua rekomandoj të gjithëve që të vijnë dhe të kënaqen në këtë vend të mrekullueshëm.
Peizazhi fare i virgjër natyror rreth e përqark, nuk është më pak mahnitës. Një degë e Lumit Erzen, rrjedh në formën e një katarakti të vogël, e bashkë me formacionet e shumta të shkëmbinjve krijojnë një peizazh përrallor. Mund të thuhet pa frikë se kjo pikë natyrore është një nga zbulimet e fundit të bëra nga aventurierët e natyrës.