Në 10 mijë vitet e fundit, pyjet në hemisferën veriore të globit nuk janë djegur kurrë me të njëjtin intensitet si në vitin 2021 dhe në 3-4 vitet pararendëse. Nuk është një rastësi, që kjo periudhë kohore përkon edhe me vitet më të nxehta të regjistruar që prej mbajtjes shënim të të dhënave, nga 2 shekuj më parë. Megjithatë, ngrohja globale, që ka rritur mesatarisht temperaturat me 0.8-1.5 gradë në të gjithë planetin nuk është arsyeja kryesore e flakëve. Ajo lehtëson ndezjen e flakëve, por 96% e tyre në rang botëror janë zjarre të vënë nga dora e njeriut, në mënyrë të qëllimshme apo nga pakujdesia. Vetëm 4% ndizen në mënyrë spontane, si përshembull nga një shkreptimë.
Të dhënat raportohen nga “GlobalForestWatch”. Shqipëria nuk bën përjashtim. Shumica absolute e zjarreve në vendin tonë vendosen nga dora e njeriut, shpesh herë për shkak se zjarri konsiderohet si një mënyrë efikase për të rritur pjellorinë e tokës. Një praktikë e tillë ka shumë më tepër rreziqe, se sa benefite, por kjo nuk ndalon banorë të zonave të ndryshme që vit pas viti, qëllimisht apo nga pakujdesia, të shndërrohen në përgjegjës për humbje jete apo dëme të pallogaritshme materiale. Harta e mëposhtme tregon me të verdhë vatrat e zjarrit aktual në vendin tonë, si dhe me vishnje zjarret e mëhershme, që janë përgjegjëse për shkatërrime masive në pyjet e Shqipërisë.
6 persona u arrestuan ditën e sotme për zjarrëvënie të qëllimshme dhe rrezikojnë masa të gjata burgimi, që shkojnë deri në 10 vjet, por burgu apo dora e ligjit nuk do të mund të frenojë zjarret përsa kohë nuk ka një sensibilizim popullor. 96% e zjarreve janë të shkaktuara nga vetë ne. 96% e pyjeve tona janë djegur nga qytetarët shqiptarë. 96% e jetëve të humbura apo banesave të shkrumbuara, kanë humbur apo janë djegur nga dora jonë.