Infektimet nga koronavirusi po rriten, ndërsa vaksinimet nuk janë në nivelet e duhura. Ekspertët e Institutit të shëndetit publik po përballen me ulje të interesit për dozat anti-COVID edhe pse jemi në muajin e hapur të vaksinimit. Të rinjtë janë me refuzuesit ndaj vaksinës anti-Covid, ndërsa ekspertët theksojnë se marrja e të dyja dozave, sipas afateve të përcaktuara, të mbron nga komplikacionet e rënda të variantit Delta.

Rreth 7 mijë vaksinime kryhen në ditë, ndërsa nga fillimi i fushatës kanë marrë dozën e parë anti-Covid 1.2 milion qytetarë, nga të cilët 24% janë vaksinuar me të dyja dozat. Me ardhjen e sasive të tjera të vaksinës Pfizer, janë shtuar kategoritë që mund ta përfitojnë përmes mjekut të familjes.

Gushti është shpallur muaji i hapur për vaksinimin e personave mbi 18 vjeç, ndërsa thirrje e veçantë u është bërë studentëve për t’i marre të dyja dozat para fillimit të vitit të ri akademik.