Familja e Musa Shimës, e cila mbeti në qiell të hapur pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019 hyri në banesën e re rindërtuar dhe mobiluar nga e para. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i dorëzoi familjes çelësat e shtëpisë ringritur në të njëjtin vend ku ndodhej banesa e vjetër, në fshatin Lalm të Vaqarrit, por tashmë një godinë më e sigurt dhe me kushte më të mira.

“U jam shumë mirënjohës të gjithë atyre që punuan për të ringritur këtë shtëpi të re, e cila do i rezistojë edhe 100 vjet kohës. Më vjen mirë që e ndërtuam po aty ku ishte, por ndërkohë dua të falenderoj shumë se është treguar durim, është treguar mirëkuptim. Unë e di që punët e mira nuk bëhen përnjëherë me buton, por ka njerëz të mirë që thonë: “po ju shohim që po punoni dhe do vetëm pak durim derisa të mbarojë”! Tani që ka mbaruar them se kemi dalë të gjithë faqebardhë nga kjo histori. Dua të falenderoj të gjithë administratorët, që edhe pse periudhë shumë e nxehtë, jo vetëm që është punuar, por është treguar mjaft kujdes dhe qytetari”, u shpreh Veliaj.

Sakaq, kryebashkiaku u ndal tek situata e krijuar nga zjarret në vend, teksa theksoi se deri më tani Tirana i ka përballuar mirë rastet e evidentuara, falë edhe punës së rrjetit të vullnetarëve, të cilët lajmërojnë në kohë mbi vatrat e krijuara në mënyrë që të bëhet edhe parandalimi i përhapjes së flakëve.

“Në Tiranë jemi ftilluar, nuk e marrim me sportivitet natyrën. Fakti që kemi edhe një rrjet vullnetarësh që na lajmëron sa herë hapet një zjarr, na ndihmon shumë. Deri tani Tirana i ka përballuar mirë. Do shtojmë edhe dy zjarrfikëse të reja për zonat rurale. Kemi pasur një bashkëpunim me ambasadën holandeze, por kam shumë mirënjohje për të gjithë rrjetin e vullnetarëve që kemi vendosur në çdo komunë. Teksa Shqipëria ka pasur shumë sfida, të paktën Tirana i ka shpëtuar, do të thotë që jemi civilizuar”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Nisur edhe nga temperaturat e larta që po mbizotërojnë në vendin tonë gjatë muajit gusht, Veliaj kërkoi kujdes me situatën e zjarreve dhe u bëri thirrje banorëve që të mos u vënë zjarrin kullotave, apo ullishteve, sepse kjo rrezikon mjedisin dhe komunitetin përreth.