Gjyqtarja e Tiranës Mimoza Brahimi (Kajo), e njohur ndryshe edhe si gjyqtarja e skandalit ‘Duty Free’ dhe objekt i dy raporteve të Departamentit Amerikan të Shtetit, nuk do të jetë më pjesë e drejtësisë shqiptare. Mimoza Brahimi (Kajo) ka vendosur të mbyllë në mënyrë të palavdishme karrierën 20-vjeçare në drejtësinë shqiptare, duke shmangur kësisoj përballjen me Komisionin e Vetingut. Procesi i Vetingut për gjyqtaren e Tiranës kishte nisur që në dhjetor të vitit 2019. Ndërsa Komisioni i Vetingut pritej që të caktonte një datë për zhvillimin e seancës dëgjimore, për ta njohur me dosjen e verifikimit, gjyqtarja ka paraqitur dorëheqjen nga detyra pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor. Nga ana e tij, Këshilli ka vendosur pranimin e dorëheqjes në datën 4 gusht 2021.
Në ditët e para të muajit shtator, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të vendosë ndërprerjen e Vetingut për gjyqtaren e Mimoza Brahimi (Kajo) dhe përjashtimin e saj për 15 vite nga drejtësia. Sa i takon pasurisë, përpos të tjerave, në vitin 2013, gjyqtarja Mimoza Brahimi (Kajo) ka deklaruar se ka marrë dhuratë nga babai i saj 4 000 000 lekë ose 36 mijë euro. Një vit para kësaj dhurate, pra në vitin 2012, gjyqtarja deklaron blerjen e një makine rreth 42 mijë e 700 euro me kredi si dhe blerjen e një apartamenti 50 mijë euro.
Po kush është Mimoza Brahimi (Kajo)?
Zonja Brahimi nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitet 2000. Deri në vitin 2019 ishte një gjyqtare e palakuar në media dhe në qarqet diplomatike. Me një vendim të dyshimtë dhe të shumëdiskutuar, Mimoza Brahimi (Kajo), në 7 tetor 2019, pranoi kërkesën e gruas së Gjin Gjoni, Elona Çaushi, për të kontrolluar dhe shfrytëzuar ambientet Duty Free në Aeroportin e Rinasit, me anë të kompanisë së saj Albania Duty Free Distribution. Gjyqtarja Brahimi luajti një rol vendimtar që çifti Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi të mbanin dyqanet, ndonëse kompania e tyre kishte humbur tenderin për menaxhimin e dyqaneve pa taksa si dhe i kishte mbaruar kontrata me koncesionarin Tirana International Aeroport në 27 gusht 2019. Për më tepër, tenderin e kishte fituar kompania amerikane International Cruise Duty Free, duke lidhur një kontratë me TIA-n që në korrik të 2019, për menaxhimin e dyqaneve.
Në këtë çështje u përfshi edhe ish-zëvendësministrit Financave Elton Haxhi i cili i firmosi gruas së Gjin Gjonit licencën për 24 orë. Haxhi u shkarkuar më pas nga kryeministri Edi Rama pas një takimi me ambasadoren amerikane Yuri Kim. Kur Ministria e Financave ia hoqi Elona Çaushit licencë që i kishte dhënë zyrtari i saj, Gjin Gjoni gjeti një tjetër gjyqtar pa Veting, Avni Sejdin, duke rrëzuar Ministrinë e Financave dhe mbajtur licencën për kompaninë e gruas dhe për rrjedhojë duke kontrolluar edhe sot dyqanet, jashtë vullnetit të TIA.
Në vjeshtën e vitit 2019, çështja tërhoqi vëmendjen e mediave vendase dhe atyre ndërkombëtare, duke qenë se ADFD-ja është në zotërim të Elona Çaushit, bashkëshortes së ish-gjyqtarit Gjin Gjoni, një emër i përfolur i sistemit të drejtësisë shqiptare. Vetë Gjin Gjoni dha dorëheqjen nga drejtësia për shkak të frikës së Vetingut, në korrik të vitit 2020, pasi kishte arritur të merrte një leje dyvjeçare prindërore nga ish-KLD-ja ku ishte vetë pjesë dhe kryesohej nga Ilir Meta.
Procesit gjyqësor, i konsideruar një provë e dështuar për klimën e investimeve të huaja në Shqipëri, u ndoq nga afër nga përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe Ambasada Gjermane. Disa mesazhe të forta artikuloi edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Megjithatë, Gjin Gjoni, arriti të mbante dyqanet. Ndërkaq, amerikanët e International Cruise Duty Free kanë vënë në lëvizje Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit (ICC), duke kërkuar mbi 20 milionë USD dëmshpërblim për dyqanet që akoma dhe sot kontrollohen gruaja e Gjin Gjonit, Elona Çaushi.
Çështja e skandalit Duty Free, si kurrë më parë, është bërë objekt i dy raporteve të Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve në Shqipëri. Në shtator të vitit 2020, Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin për klimën e investimeve në Shqipëri, duke iu referuar çështjes Duty Free, thekson se “Investitorët amerikanë janë përballur me mosmarrëveshje të diskutueshme tregtare jo vetëm me njësite publike, por dhe me ato private. Investimi i një kompanie amerikane u pengua nga disa vendime gjyqësore dhe veprime të dyshimta të palëve të interesuara”.
Ky shqetësim është përsëritur edhe në raporti e DASH, publikuar disa ditë më parë, për klimën e investimeve të huaja në Shqipëri. Në raport thuhet se Investitorët amerikanë janë përballur me mosmarrëveshje tregtare të diskutueshme si me subjektet publike ashtu edhe me ato private. Në vitet 2019 dhe 2020, përpjekja e investimit të një kompanie amerikane u pengua nga disa vendime gjyqësore dhe veprime të diskutueshme të palëve të interesuara të përfshira në një mosmarrëveshje mbi investimin. Çështja tani është në arbitrazh ndërkombëtar. (Shqiptarja.com)