Ditën e sotme stafi i “Klanifornia” publikoi në Instagram një foto nga mbledhja për sezonin e ri. Në imazhin në fjalë shfaqej i gjithë stafi bashkë me aktorët, por mungonte Marina Vjollca. Menjëherë të gjithë aluduan se Marina nuk do të jetë më pjesë e programit të humorit si moderatore. Ajo do të sjellë në jetë shumë shpejt fëmijën e parë dhe të gjithë menduan se shtatzënia do e pengojë që të vazhdojë të jetë pjesë e ekranit.
Mirëpo kjo nuk është e vërtetë dhe Marina do të vazhdojë të ndjekë punën e saj edhe gjatë kësaj periudhe. “Anabel” ka kontaktuar me producentin Turjan Hysko dhe ky i fundit ka treguar se Marina do të jetë sërish pjesë e “Klanifornia”.
“Sigurisht që do të jetë Marina”, është shprehur ai duke ju dhënë fund aludimeve.
Aktualisht Marina ndodhet me pushime në ishullin Sejshell, së bashku me Getoarin. Këtë periudhë të pritjes së ëmbël ajo po e shijon në maksimum dhe nuk ka nguruar të ndajë herë pas here me ndjekësit foto dhe video të saj.
Kujtojmë se rreth 1 javë më parë, Marina Vjollca, zbuloi se është në pritje të fëmijës së parë. Ajo postoi në rrjete sociale foto të saj me barkun e rrumbullakosur, duke dhënë në formën më të bukur lajmin e shumëpritur për ndjekësit e saj. Më vonë ajo postoi dhe një tjetër foto me Getoarin, i cili shfaqej duke përkëdhelur barkun e moderatores.