Nga Lis Bukuroca/
Unë nuk gjeta asnjë mendim kundër shqiptarëve nga Bregoviçi! Ishte një reagim i imi emocional, i ndikuar, i padrejtë dhe i paarsyeshëm, që nuk mund të përligjet. Në vitin 1961 James Stoner thoshte se grupet marrin vendime radikale. Ne po kërkojmë vendim të tillë! Nga fillimi i viteve 1970 në psikologji kjo bindje e turmës, ku rrëshqita edhe unë, njihet si “të menduarit grupor e Janis-it” (Irwing Janis, universiteti i Yales) Të menduarit grupor e shërbimeve sekrete ka ndikuar edhe në sulmin ndaj Irakut! Ata besonin se Iraku kishte armë bërthamore!
Pse po e urrejmë ne Goran Bregoviçin?
Ai thotë përafërsisht këtë në një intervistë: Unë e kam atin kroat katolik, nënën ortodokse serbe, bashkëshorten myslimane. Në cilën anë të rreshtohesha, kundër kujt të gjuaja, (me armë mendohet)? Kundër nënës, babait apo bashkëshortes? Prandaj mbetem asnjanës! Hulumtova dhjetëra gazeta mbrëmë dhe sot: shqiptare, serbe, boshnjake e kroate. Nuk gjeta asgjë, pos atij fakti, të cilin e përmenda dhe se ai ishte i pari në ish-Jugosllavi, që kishte kënduar në gjuhën shqipe një rock-këngë!
Ndoshta po e urrejmë pse këndon serbisht?! Nëse është kjo, atëherë duhet ta kemi të qartë se me gjuhën nuk kemi pasur probleme, por me shtetin e Serbisë. As me popullin e Serbisë jo, por vetëm me shtetin serb! Përafërsisht atë gjuhë e flasin edhe kroatët e malazezët! Gazeta shqiptare nuk citojnë asnjë burim që do të inkriminonte atë.
Ky mendimi i imi mbetet derisa të mos sillen prova për qëndrim të tij antishqiptar!
Unë kërkoj ndjesë edhe një herë, u kërkoj ndjesë edhe miqve të mi që kishin mendim tjetër, si Edmond Shallvari, Fahri Musliu, etj. dhe ndiej keqardhje për insinuatat dhe akuzat e pabazuara ndaj tij! Sipas asaj që lexova, ai meriton respekt dhe mirënjohje, jo përbuzje dhe gozhdim publik!