Vatrat e zjarreve në Voskopojë, Peleshi: Janë të qëllimshme, autorët do të vendosen përpara drejtësisë. Situata e vështirë në Karaburun dhe Thirrë Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka shkuar në Voskopojë, ku ka monitoruar nga afër vatrën e re të zjarreve që është aktivizuar atje. Në një prononcim për mediat, ministri ka thënë se zjarret në këtë pjesë të territorit janë të qëllimshëm, pasi është mjaft freskët për të pasur aktivizime natyrore. Sipas tij, personat që ndërmarrin të tilla hapa do të hetohen dhe do të marrin dënimin e merituar.
Sakaq, Peleshi i bëri një rezyme situatës aktuale të zjarreve në Shqipëri. Ai tha se problematike paraqitet situata në Karaburun dhe në Thirrë të Mirditës, ndërsa vatrat e tjera aktive në vend sipas tij, janë më të menaxhueshme.
“Para një ore, këtu në Voskopojë ka pasur një shpërthim zjarri, një vatër që nuk nxitoj të them që është e qëllimshme sepse në të njëjtën kohë patëm 5 vatra të ndryshme. Është shumë e rrezikshme si vatër, pasi zjarri ka depërtuar në zemër të pyllit. Gjithsesi ka disa rrethana pozitive. Sapo kemi bërë një konsultë me komandantin e zjarrfikësve të Bashkisë së Korçës. Kemi forca të vazhdueshme do të kemi dhe katërfishin të tyre për pak. Është fatalitet nëse do të dështonim këtu. Por rreziku është i shtuar nëse flakët kapërcejnë në zona më të dendura të parkut.