Ministria e Mbrojtjes ka reaguar lidhur me situatën e zjarreve në vend, duke theksuar se pavarësisht punës intensive ka ende disa zona problematike në disa vatra në veri të vendit.
Ministria shprehet se era ka ndikuar në përhapjen e perimetrit të zjarrit në fshatin Flet në Fushë-Arrëz, në fshatin Patalej në Lezhë, ku flakët janë në drejtim të fshatit Katund i Ri në Rubik. Përkeqësim ka edhe në Thirrë, në Mirditë dhe në Majën e Rrunës, Laku i Mollave e Laku i Thive në Kukës.
Me ritëm të shtuar është edhe zjarri në fshatin Kaçni në Selishtë të Dibrës. Por fatmirësisht, momentalisht nuk ka asnjë rrezik për zonat e banuara.
Ministria e Mbrojtjes ka falënderuar gjithashtu edhe Bashkimin Evropian për punën e palodhur të ekuipazheve të helikopterëve holandezë e çekë, të cilët po vazhdojnë ndërhyrjen nga ajri për shuarjen e plotë të zjarreve.
Mirënjohje edhe për asistencën e pakursyer të ekipit të ekspertëve nga Byroja për Ndihmë Humanitare e USAID e SHBA, thuhet në njoftimin zyrtar.