Situata është dinamike. Herë pas here ka aktivizime dhe riaktivizime vatrash. Situata serioze tashmë është kthyer në Qarkun e Kukësit. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, tha se vatër serioze mbetet ajo në Majën e Rrunës dhe në Thirrë mbi tunelin e kalimashit. Disa vatra të tjera janë të ndezura, por nuk janë serioze.
Për momentin vatër problematike konsiderojmë dy vatra në qarkun e Kukësit, që është ajo në Majën e Rrunës dhe më problematike është bërë tani në Thirrë mbi tunelin e Kalimashit. Kemi në Munellë, në luginën e Fanit një vatër që është aktivizuar dhe është serioze. Për momentin një helikopter po punon drejt Thirrës, ndërkohë që kemi vatra në veri, por janë në kontroll. Në Durrës kemi një vatër të menaxhueshme. Edhe në fier është drejt eliminimit, Në Karaburun vazhdojmë nga 3 vatra në 2. Në gjirin e Gramës është inaktive vatra. Vazhdon mbi Dukat dhe sipër pranë parkut të Llogarasë. Ka qenë një natë e mundimshme mbrëmë. Në Dukat kanë qenë të rrezikuara banesat. Kanë punuar të gjithë me heroizëm. Ju e shikoni me sy të lirë, duken dy vatra mbrapa nesh, tha Peleshi.
Sa i përket Llogarasë, Peleshi u shpreh se po punohet që të shmanget kapërcimi i zjarrit drejt parkut.
Rrezikohet ndaj ne jemi këtu, ditë natë. Duam të shmangim kapërcimin e zjarrit drejt parkut të Llogarasë. Nuk them që jemi në park, jemi 2 kilometra nga parku, por duke parë edhe përparimin e zjarrit i marrim masat në kohë. Nëse fillon djegia e parkut të Llogarasë është një nga ato situata ku nuk ke çfarë bën ndoshta dhe nga ajri. Por nuk do shkojmë aty. Kemi trupa lart, kemi trupa poshtë, kemi mjete ajrore, po bëjmë gjithçka.
Por a po luftojnë forcat tona me mjetet e duhura?
Kanë mjetet e duhura, por i kanë të pamjaftueshme si çdo vend në botë. Nuk mund të thuash që kemi boll mjete. Kemi dëgjuar apele për ndihmë nga shtetet përreth. Janë situata shumë komplekse që ne nuk na kanë gjetur të papërgatitur. Kemi ndërhyrë në kohë, por jemi në luftë edhe me armiq të padukshëm edhe me fenomene natyrore dhe nuk dua të flas tani, nuk dua të them se ia dolëm, ndoshta po të kthej kokën pas se sa vështirësi kemi kaluar themi që është menaxhuar shumë mirë deri tani. Sigurisht me ndihmën edhe në raste të caktuara të fatit dhe të Zotit që mos t’ia japim të gjitha meritat vetes.
Ministri Peleshi foli edhe për helikopterët nga Holanda dhe pse punon vetëm njëri prej tyre.
Ka dy helikopterë që kanë ardhur nga Holanda. Ata nuk punojnë në një kohë sepse kështu është e përqendruar strategjia e tyre. Njëri qëndron në Rinas, dhe tjetri në territor. I treti është helikopteri çek i cili është në punë në veri në Thirrë.
Sa i përket të arrestuarve për zjarret, ministri Peleshi u shpreh se duhet të ketë dënime shembullore që të merren si precedentë për të ardhmen.
Nuk mund ta konfirmoj dot këtë. Natyrisht që jo të gjitha janë të qëllimshme, por ka shumë të qëllimshme. Sot ka pasur sërish një valë arrestimesh, të dyshuarish, por edhe me bazë, pothuajse të kapur në flagrancë, që nuk e them me bindje të plotë nëse e bëjnë për piromani, për mani, apo e bëjnë për idiotizëm, apo për të përfituar diçka. Edhe injoranca edhe idiotizmi nuk të shpëton nga ligji. Edhe njëherë apeli për t’i shkuar deri në fund dënimit, për t’i përdorur si precedent për të ardhmen. Si presion pozitiv për të ardhmen. Kemi situatë të vështirë përpara.