Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet për një vizitë në Kosovë, ka vijuar takimet e tij në Prishtinë me kandidatët që garojnë në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në 17 tetor. Gjatë një bisede me Përparim Ramën dhe Fisnik Ismailin, dy emra mjaft të njohur të politikës dhe pjesë e garës elektorale në Prishtinë, Veliaj u shpreh i kënaqur nga fushata që po zhvillohet në kryeqytetin e Kosovës.
“Faleminderit Përparim Rama dhe Fisnik Ismaili për bisedën frymëzuese e miqësinë bujare. Shumë i impresionuar nga fushata qytetare që po zhvillohet në Prishtinë, – fokusi te idetë e jo tek sulmet personale. Mësim i vyer për të gjithë,” – shkruan Veliaj në një postim në “Twitter” pas këtij takimi.
Përparim Rama, arkitekt dhe urbanist i njohur, kandidon për kryetar të Prishtinës nga LDK në zgjedhjet lokale që do të mbahen në Kosovë në 17 tetor. Ndërsa Fisnik Ismaili, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Parlamentin e Kosovës, është dhe autor i Monumentit të njohur “Newborn” në Prishtinë.