Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në një intervistë për “News 24” tha se ndërtesa “Sarajet e Toptanit”, e cila ka statusin e Monumentit të Kulturës, do të kthehet në një shtëpi muze për qytetarët. Veliaj nënvizoi se pronarët e kësaj ndërtese do të dëmshpërblehen, më pas kur të kalojë në pronësi të Bashkisë së Tiranës, do të vijojë puna për rikonstruksionin e ndërtesës dhe kthimin e saj në muze, siç ka ndodhur edhe me “Shtëpinë e Gjetheve” apo me shtëpinë e Ismail Kadaresë e të Dritëro Agollit.
“Ndërtesa e ’Sarajeve’, në dallim nga Teatri prej tallashi që nuk e kishte kurrë statusin e Monumentit të Kulturës apo Lodrat e Liqenit që gjithashtu nuk e kishin kurrë statusin, në fakt e ka statusin. Ajo ndërtesë nuk do digjet, nuk do transformohet në ndërtim, ajo ndërtesë ka shërbyer si legata e parë e Ambasadës Amerikane në Tiranë që në kohën e “Zogut” do të kthehet në një muze të qytetit, do të ketë statusin e një shtëpie muze ku në njërin kat do të jetë Muzeu Etnografik i Tiranës, kurse në katin tjetër do të jetë për përkujtimin e marrëdhënieve speciale Shqipëri-Amerikë, duke qenë se ka qenë selia e parë e legatës Amerikane në Tiranë. Çdo gjë tjetër është spekulim. Di të them që e shuam zjarrin në kohë rekord dhe po në kohë rekord identifikuam zjarrvënësin”, sqaroi kryebashkiaku Veliaj.
“Në këto vite ka ndodhur një transformim shumë i madh për të dhënë këtë shembull: Ruhet çfarë është për t’u ruajtur. Çfarë është shkollë rri shkollë, çfarë është monument kulture, rri monument kulture. Patjetër që në hapësirat e tjera private, Tirana do ketë edhe hotele, edhe ndërtesa për bizneset, edhe qendra tregtare, por ama do bashkëjetojnë me ato që tashmë janë të mbrojtura”, nënvizoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.