Paraditen e sotme kamerat e ‘Illyrian Guard’ konstatuan në zonën pran Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Shkodër se po dilte tym nga një objekt ambulator në afërsi të Fakultetit.
Nëpërmjet kamerave u bë i mundur edhe evidentimi i objektit nga një prej punonjësve të ‘Illyrian Guard’ duke bërë edhe ndërhyrje me fikëse portative, gjë që solli edhe neutralizimin e zjarrit që po përhapej me shpejtësi. Po ashtu punonjësit e kësaj Shoqërie bënë të mundur edhe njoftimin e Forcave Zjarrfikëse të cilat erdhën menjëherë në vendngjarje.
Për detajet e ngjarjes lexoni njoftimin e mëposhtëm dhe shihni përmes videos komplet situatën e ndodhur.
Shoqëria “Illyrian Guard” ShA, ofron jo vetëm siguri, por dhe kontribut për fikjen e zjarreve. Në orën 11:39 operatorja e sallës së “Illyrian Guard” ShA, Znj. Erialda Elezi konstatoi nëpërmjet kamerës që tek Fakulteti i Shkencave të Natyrës Shkodër po dilte tym nga një objekt ambulator në afërsi të Fakultetit. Në të njëjtën kohë punonjësi i shërbimit të sigurisë Z. Gentian Mani evidentoi objektin, nga i cili kishte rënë zjarr dhe ndërhyri me fikëse portative, duke neutralizuar zjarrin që po përhapej me shpejtësi. Gjithashtu u urdhëruan punonjësit e shërbimit të sigurisë të verifikimit të sinjaleve elektronike me Përgjegjes grupi Z. Alban Kraja për të shkuar menjëherë në vendngjarje.
Nga ana e punonjësve të Shoqërisë u krye njoftimi i Shërbimit Zjarrfikës.
Për shkallën e lartë të gatishmërisë të treguar në konstatimin, bashkëveprimin dhe neutralizimin e menjëhershëm të vatrës së zjarrit, Administratori i Shoqërisë, Z. Drini Nikolla ka falënderuar punonjësit që ishin në krye të detyrës dhe që kryen atë me standarde të arrira.
*Pamjet nuk janë improvizim, por ngjarje reale, të xhiruara nga sistemi elektronik i kamerave të vëzhgimit, pronë e Shoqërisë “Illyrian Guard” ShA. (Lexo.al)