Në bypass-in e Vlorës, një ndër veprat më të rëndësishme të infrastrukturës rrugore në jug të vendit, po vijon puna me ritme të larta, në mënyrë që kjo vepër të jetë në një kohë sa më të afërt në dispozicion të qarkullimit të automjeteve.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj e cila thekson se, bypass-i i Vlorës, ku vazhdon puna për plotësimin e kësaj vepre, që sjellë më shumë lehtësi për qarkullimin e mjeteve dhe zhvillimin e zonës.
Në rrethrrotullimin në km 0, kanë përfunduar shtresat asfaltike, sinjalistika dhe punimet e gjelbërimit.
Po ashtu ka përfunduar shtresa e parë asfaltike në 9 km gjatë gjithë gjatësisë së projektit. Ka përfunduar montimi i trarëve tek Ura 1, si dhe montimi i trarëve dhe betonimi i soletës tek ura 5.
Bypass-i i Vlorës po ndërtohet me standardet më të mira dhe parametrat më të lartë të sigurisë. Rruga lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë, duke ndikuar edhe në lehtësimin e fermerëve, për daljen më shpejt në tregje, të prodhimit bujqësor dhe nxitjen e agroturizmit.
Rruga e re me gjatësi 29 km vlerësohet një ndër segmentet me impaktin më të lartë turistik që do të ndikojë ndjeshëm në lehtësimin e trafikut në qytetin e Vlorës. Ajo nis nga Rrethrrotullimi, në fund te autostradës Levan-Vlorë. Në çdo 1.5 kilometër të kësaj rruge është parashikuar vendpushimi për automjetet.
Me përfundimin e disa projekteve të rëndësishme infrastrukturore, e gjithë zona do të kthehet në një superdestinacion turistik, me infrastrukturë të nivelit europian.