Nga Katerina Marku/
Aktivizëm – sapo e lexon si fjalë në mend të vijnë grupe të rinjsh të angazhuar me dëshirë e pasion për t’i çuar kauzat e tyre përpara e për të sjellë ndryshime në shoqëri. E në fakt nuk ka gjë më të bukur e thellësisht të shëndetshme për një komunitet, qytet e shtet sesa një rini që shkollohet, punon, kontribuon e përpiqet për vendin duke menduar se si gjërat mund të bëhen më mirë nisur nga rrethanat ku ndodhen.
Përgjatë viteve, historia na tregon se si aktivizmi rinor ka ndikuar në momente kyce sipas problematikave të kohës, si përshembull në çështje sociale, politike, ekonomike, ligjore etj. Duke filluar nga vitet 1960 me lëvizjen për të drejtat civile e deri në ditët e sotme, përpjekjet e rinisë anembanë botës kanë qenë të vazhdueshme si për të ndikuar tek politikëbërësit që vendimarrjet e tyre të jenë të përgjegjshme, si me rritjen e vëmendjes ndaj çështjeve delikate apo duke zhvilluar fushata edukuese e ndërgjegjësuese.
Një shembull aktual ku dua të fokusohem është rasti i Greta Thunberg, e reja 15 vjeçare, e cila doli e vetme përballë parlamentit suedez për të protestuar mbi ndryshimet klimatike. Nisur nga fotoja e saj parë e shkrepur duket si një kauzë e humbur pa filluar ende, po të gjykojmë nga pjesëmarrja. Por ngulmimi për ta bërë zërin e saj të dëgjohet, frymëzoi me miliona të rinj të cilët e mbështetën duke nisur kështu “Fridays for future” me mbi 4500 marrshime për ndryshimet klimatike në rreth 150 shtete të botës, mes tyre dhe Shqipëria.
Tek marrshimet që zhvilluam në Tiranë, pata mundësinë të njihja të rinj tejet të zellshëm e të vendosur për të mbështetur jo vetëm Gretën në kauzën e saj por gjithashtu te fokusuar që të bënin më të mirën për komunitetin duke u angazhuar për një të ardhme të sigurt për ta e brezat pasardhes. Me një pjesë prej tyre u bashkuam (siç ndodh zakonisht që idetë të bashkojnë njerëzit) dhe formuam “Këshillin Mjedisor të Tiranës”, një strukturë që veç angazhimit të sa më shumë të rinjve, synon të bëjë bashkë aktorë që luajnë një rol kyç në zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit.
Kur bëjmë të hedhim hapat, shpesh na duken të vegjël por pasi kemi ecur pak kuptojmë vlerën e çdo hapi. Dhe ky mendoj është thelbi, vlera e çdo hapi sado i vogël qoftë. Rinia nuk duhet të dyshojë asnjëherë tek aftësia që ka për t’i çuar gjërat përpara, me vullnet dhe konsistencë, duke e mbajtur rolin e saj aktiv si shtylla kurrioze e një shoqërie. Ajo ndikon me sjelljen e saj në çdo hallkë e mund t’i transformojë komunitetet si asnjë forcë tjetër. Prandaj investimi i vazhdueshëm tek ta dhe për ta duhet të jetë një prioritet, pasi fryti i tyre do jetë ai që do të përcaktojë drejtimin dhe të ardhmen e shoqërisë.
Skeptikë do të ketë sa këtu sa atje, ndoshta disa prej tyre po lexojnë dhe këto rreshta. Megjithatë siç koha e ka treguar, duhet durim dhe ngulm për të patur rezultat, e pasi ai vjen, formohet klima ku ndryshimi është i mundur e ku çdo i ri mund të frymëzojë e të frymëzohet. Kjo është fuqia e rinisë.