Ballkani i Hapur është plotësues dhe jo kundër Bashkimit Evropian, ai është katalizator i axhendës sonë evropiane, ku tre vendet mbeten të përkushtuara në axhendat dhe angazhimet e tyre për anëtarësimin në BE, sipas kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev në shkrimin ”Popujt tanë kanë rrugë të njëjtë”, i publikuar në gazetën serbe ”Politika”.
”Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria nuk do të ndalen drejt integrimit në BE edhe pas sinjaleve konfuze të Brukselit për zgjerimin”, thotë Zaev.
”Ballkani i Hapur është shprehje e vullnetit të fortë politik të Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë dhe një nismë me interes të lartë publik. Kjo nismë është në kundërshtim me gjithçka që është sinonim apo stereotip deri më tani për Ballkanin”, thekson ai.
”Popujt tanë… kanë të njëjtën rrugë para tyre. Ne kemi të njëjtin vizion dhe vlera – këto janë vlera evropiane, jo mure dhe politika të ndarjes. Ndërtojmë ura, jo mure”, thotë Zaev.
”Ballkani i Hapur është një demonstrim i përparimit, hapi ynë drejt të cilit jemi drejtuar duke ndjekur vullnetin e shumicës së popujve tanë. Nuk ka më pritje dhe asnjë refuzim. Mbështetja e të gjithëve është e mirëpritur në rrugën tonë të përbashkët evropiane, ndërsa mbështetja e Bashkimit Evropian si partneri ynë i natyrshëm, i pritshëm dhe i quajtur prej kohësh si i tillë, është më i mirëseardhur”, nënvizon Zaev.
”Iniciativa e tre vendeve të Ballkanit është e hapur për të gjitha vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor. Bashkohuni me ne, për hir të popujve tanë”, thekson ai.