Autoritetet në Turqi njoftuan se kanë zbuluar variante të reja COVID-19 në provincën bregdetare perëndimore të Izmirit (Smirna). Dhoma Mjekësore e Izmirit dhe Shoqata për Ekspertizën Klinike të Mikrobiologjisë deklaroi se përveç mutacioneve kryesore të virusit – variantet Alpha, Beta, Gamma dhe Delta – u zbuluan edhe lloje të reja.
“Duhet të kryhen analizat e sekuencave të acidit nukleik dhe rezultatet duhet të bëhen të ditura për publikun, në mënyrë që të hetohen karakteristikat e këtyre varianteve”, tha Dhoma. Raportet thonë se në analizën e kryer me testet PCR që synonin tre mutacione kryesore në variantet Alpha, Beta, Gamma dhe Delta në Izmir, u zbuluan versione që nuk i mbartin të trija mutacionet.
Njoftimi nxiti spekulimet se ekziston një variant Covid-19 ekskluziv në Turqi. Ndërsa vendi regjistroi 18,857 infeksione të reja të hënën dhe 232 vdekje, shkencëtarët turq janë duke punuar në kërkime për të përcaktuar nëse ekziston një variant ekskluziv turk. Kërkimet në Turqi po vazhdojnë për variantin e ri të mundshëm të Covid-19/ Daily Sabah raporton se studiuesit në Universitetin e Stambollit, kanë analizuar mostra nga 500 pacientë nga i gjithë vendi dhe duan ta dyfishojnë këtë shifër.
Turqia, si pjesa tjetër e botës, ka përjetuar rritje të rasteve nga variantet në zhvillim si delta dhe delta plus, pas më shumë se një viti që nga fillimi i pandemisë. Shkencëtarët sugjerojnë që të kryhen modifikime në programet e vaksinimit dhe testet e bazuara në reaksionet zinxhir polimerazë (PCR) për të identifikuar saktë pacientët e infektuar me variante.
Hartimi i gjenomit do ta ndihmojë vendin që të identifikojë variantet e reja që mund të prekin ekskluzivisht publikun turk. Studiuesit shpresojnë që të gjejnë përgjigje brenda pak muajsh. “Përgjigjet mund të ndryshojnë mënyrën si ne e luftojmë pandeminë, nga diagnoza në trajtimin e saj”, tha Dr Faruk Berat Akçeşme për DHA.
Numri i rasteve Covid-19 në Turqi është rritur nga më pak se 5,000 në ditë në fillim të korrikut, kur qeveria lehtësoi masat kufizuese, në mbi 20,000 në fund të muajit të kaluar, duke arritur nivelet më të larta që nga prilli. Shkalla e vaksinimit në Turqi është nën mesataren e parë në Europë. Vendi ka vaksinuar rreth 35.5 milionë të rritur me dy doza, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë. Turqia ka një popullsi prej rreth 85 milion njerëz, që do të thotë se numri i të vaksinuarve ka arritur në vetëm 41.8 përqind të qytetarëve./Monitor