Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako tha se “të gjitha strukturat shtetërore, vendore dhe Policia e Shtetit janë angazhuar në terren për shuarjen e vatrave të zjarrit, krijuar nga temperaturat e larta”. “Aktualisht në terren po operon një helikopter me pajisjet e veta për shuarjen e zjarreve, dhe po punohet intensivisht për krijimin e kordonit tokësor për të eliminuar ecurinë e mëtejshme të zjarrit”, tha ai gjatë një prononcimi për mediet.
Çako theksoi se, “janë një sërë faktorësh që ndikojnë në ndezjen e këtyre zjarreve, një pjesë janë nga barinjtë, që kërkojnë rihapjen e kullotave të tyre, ashtu sikurse ka dhe një numër të konsiderueshëm banorësh që djegin shkurret, dhe që iu del nga kontrolli situata, por nuk përjashtohen edhe iniciativa kriminale të cilat po hetohen”. “Po punohet me Policinë e Shtetit për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore ata autorët, që në shumicën e rasteve janë të identifikuar”, deklaroi Çako.
“Pothuajse gjithë Ballkani është përfshirë nga temperatura shumë të larta të ardhura nga Afrika për shkak të rrymave, që kanë favorizuar ndezjen e zjarreve masive. Janë disa qarqe apo prefektura edhe në Shqipëri që kanë pasur problematika të konsiderueshme, por ato që kanë dalluar kanë qenë prefektura e Vlorës, Fierit, Gjirokastrës dhe Beratit. Aktualisht situata më e ngarkuar është ajo e Vlorës, në pjesën e Karaburunit dhe fshatit Dukat. Është një punë e vështirë. Aktualisht në Shqipëri nuk ka pasur humbje jetësh apo probleme që rrezikojnë jetën”, tha Çako.