Përpjekjet koordinuese midis ekipeve shqiptare, amerikane, çeke dhe holandeze, kanë mundësuar luftë efikase ndaj zjarreve. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, bëri të ditur sot se, “që prej mbërritjes në Shqipëri për të ndihmuar me përpjekjet e koordinimit dhe përgjigjes ndaj zjarreve në vend, ekipi ynë amerikan i ekspertëve nga Byroja për Ndihmë Humanitare e USAID, kanë ndihmuar forcat e Mbrojtjes Civile dhe Ndihmës Humanitare të Bashkimit Europian dhe ato shqiptare”.

“Sot, punonjësja zjarrfikëse e Shërbimit Pyjor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Renee Jack, u takua me pilotë holandezë dhe shqiptarë në Bazën Ajrore Ushtarake të Rinasit në Tiranë, për të diskutuar qasjen e tyre strategjike ndaj përgjigjes për zjarret”, theksoi ambasada amerikane.

“Ekipi ynë i ekspertëve ka ofruar gjithashtu trajnime mbi sigurinë dhe menaxhimin e rrezikut për operacionet e helikopterëve, manovrat e zjarrit në terren, taktikat e helikopterëve për zjarrin në terren, si dhe menaxhimin e komunikimin”, nënvizoi ambasada. “Vendet tona vazhdojnë të jenë të bashkuara në përpjekjet dhe bashkëpunimin tonë gjatë kësaj kohe të vështirë për Shqipërinë. Krah për krah”, përfundon ambasada e SHBA.