Zyrat e aplikimit për dokumente biometrike do të qëndrojnë të hapura edhe ditën e shtunë. Ministria e Brendshme njofton qytetarët se shumica dërrmuese e zyrave të aplikimit për karta ID dhe pasaporta, do të jenë të hapura edhe ditën e shtunë, nga ora 08:00 e mëngjesit deri në aplikimin e qytetarit të fundit në radhë.
Ky vendim është marrë me qëllim për të lehtësuar fluksin e aplikimeve gjatë ditëve të javës, për shkak të ardhjes në atdhe të shtetasve me banim jashtë vendit, të cilët kanë nevojë të rinovojnë dokumentet e identitetit.
MB thekson se, të hapura të shtunën (14 gusht) do të qëndrojnë të gjitha zyrat e aplikimit në qarkun Tiranë, përfshirë bashkitë Kamëz, Kavajë, Rrogozhinë. Në Durrës, rajonet 3, 4, 5 dhe 6, përfshirë zyrat në bashkinë Krujë dhe njësitë administrative Fushë-Krujë, Xhafzotaj dhe Sukth.
Gjithashtu të hapura do të qëndrojnë zyrat në bashkitë Berat, Gjirokastër, Peshkopi, Elbasan, Belsh, Fier, Lushnjë, Divjakë, Korçë, Lezhë, Shkodër, Vau i Dejës, Koplik, Vlorë, Sarandë. MB rikujton qytetarët se riaplikimi për kartë mund të bëhet në çdo zyrë, pavarësisht vendbanimit.