Gigio Donnaruma, Georgino Wijnaldum, Achraf Hakimi dhe Sergio Ramos ishin vetëm shkëndijat e kësaj merkatoje verore për Paris Saint Germain që do të mbyllet me “flakën e madhe” që do të ndizet mbi Kullën Eiffel pas pak ditësh.
Naser Al-Khelaifi ka mbyllur marrëveshjen për të transferuar në Paris Lionel Messin me PSG që realizon kështu goditjen e shekullit, duke marrë në gjirin e saj më të mirin e dekadës së fundit. Karriera e yllit argjentinas do të vazhdojë në kryeqytetin francez me 6-herë fituesin e Topit të Artë që do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me Paris Saint Germain me opsion rinovimi edhe për një tjetër sezon. Nga marrëveshja me klubin francez Lionel Messi do të përfitojë 40 milionë euro në sezon. Bie poshtë pista Chelsea që doli në orët e fundit, ndërkohë që Manchester City u tërhoq vetë nga gara për argjentinasin me deklaratat e fundit që bëri trajneri Pep Guardiola ku nënvizoi se prioritet për Citiziens është afrimi i Kane. Në këtë mënyrë Paris Saint Germain ishte opsioni i vetëm për Messin për të vijuar karrierën. Mbeten ende detajet e fundit për t’u zgjidhur që kanë të bëjnë me komsionet që do të përfitojnë babai i Messit Jorge dhe vëllai i tij, komisione që me siguri do të jenë të kripura për xhepat e Al-Khelaifit.
Konfirmimet për kalimin e Lionel Messit në Paris erdhën fillimisht nga trajneri i parizienëve argjentinasi Mauricio Pochettino që u pyetur në lidhje me një transferim të Messit në kryeqytetin francez u përgjigj: “ Leonardo dhe presidenti ynë po punojnë për të përmirësuar skuadrën. Rëndësi ka kualiteti i futbollistëve. Klubi po punon intensivisht, po shqyrton të gjitha opsionet dhe Messi është një prej tyre, deklaroi Pochettino, ndërkohë që zërat për arritjen e marrëveshjes mes Messit dhe Paris Saint Germain u shtuan edhe nga postimi që ka bërë sëfundmi në rrjetet sociale vëllai i Nasser Al-Khelaifit, sheiku Khalifah bin Hamad Al Thani i cili ka postuar një foto të Messit me fanellën e Paris Saint Germain, me mbishkrimin: “Negociatat janë mbyllur zyrtarisht, pak më vonë do të vijë njoftimi.”
Paris Saint Germain synon ta prezantojë Messin para tifozëve të martën e 10 gushtit në kullën e Eiffiel, ndërkohë që argjentinasi te PSG ribashkohet me shokun e tij të vjetër Neymar Jr, por edhe shokët e tij në kombëtaren argjentinase Di Maria e Paredes. Me Messin në skuadër Pochettino mund të hedhë në fushë një formacion yjesh me Donnarumman në portë, Hakimin, Marquinhos, Ramos e Bernat në mbrojtje, Verratin, Ëijnaldum e Di Marian në mesfushë dhe Neymar, Mbappe e 6-herë fituesin e e Topit të Artë në sulm, 11-she kjo që nuk duhet ta diskutojë fitimin e titullit kampion në Francë dhe duhet të tentojë me çdo kusht triumfin në Champions League.