Mbi 400 shtetas afgan po qëndrojnë në strukturat hoteliere të Shëngjinit, teksa po kalojnë disa ditë të qeta pas ferrit që përjetuan në Kabulin e pushtuar nga militantët talebanë. Fatima Ibrahimi, prej katër ditësh është strehuar në qytetin bregdetar dhe tregon për Top Channel se tashmë ndihet e qetë dhe e sigurt. “Kam lindur në provincën e Daykundit, por kam jetuar në Kabul. Kam studiuar Bachelor për ekonomik dhe kam punuar në disa shoqata si financiare. Erdha këtu dhe gjeta një qytet të qetë. E dua këtë qytet“.
Edhe ajo, si pothuajse të gjithë afganët e tjerë e sheh Shqipërinë si një vend të përkohshëm për të qëndruar. Dhe për këtë, thotë se arsyeja është gjuha. “Ne duam të ikim në një shtet tjetër, ku gjuha që flitet të jetë anglishtja. Sepse është shumë e vështirë të mësosh një gjuhë të re. Gjëja e vetme e vështirë në Shqipëri është sfida e gjuhës”.
Megjithatë, mendjen e ka në Kabul, ku kanë mbetur prindërit dhe motra e saj e vogël. 31-vjeçarja është e shqetësuar për të ardhmen e familjes dhe grave afgane atje, teksa talebanët po qeverisin vendin në ligjet e sheriatit, siç pretendojnë ata.