Një infermiere dhe një shitëse dyqani janë arrestuar nga policia e Tiranës pasi akuzohen se vidhnin kartat e identitetit për të blerë pajisje elektroshtëpiake me qëllim që t’i shiste në dyqan. Nga hetimet ka rezultuar se E. B., e punësuar si infermiere në spital, vidhte kartat e identitetit të pacientëve që shkonin për mjekim dhe më pas ia jepte O. H., e cila punonte si shitëse në një subjekt privat që tregtonte pajisje elektroshtëpiake.
Shtetasja O.H. i përdorte kartat e identitetit për të marrë kredi, me qëllim për të blerë pajisje të ndryshme në dyqanin ku punonte, të cilat transportoheshin nga shtetasi A. H., i cili është proceduar penalisht, dhe më pas i shisnin në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Operacioni policor i koduar “Elektro” është finalizuar nga Seksioni i Krimit Ekonomik dhe Financiar dhe u bë ndalimi i dy shtetaseve të identifikuara si E. B., 39 vjeçe dhe O. H., 32 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë. Policia ka sekuestruar pajisje të ndryshme elektroshtëpiake, me vlerë rreth 40.000.000 lekë. Po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi dhe vënien e tyre para drejtësisë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të metejshme hetimore.