Ministrja e Arsimit Rinisë dhe Sportit, Evis Kushi falënderoi sot të gjithë anëtarët e Bordit të Akreditimit të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, për punën dhe kontributin e tyre që prej vitit 2017, në përmbushjen me sukses të objektivave të këtij institucioni, për rritjen e cilësisë në arsimin e lartë, duke respektuar autonominë akademike dhe institucionale.

Në fjalën e saj, gjatë takimit të Bordit të Akreditimit të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, që u zhvillua sot në Tiranë, me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama, Kushi u ndal në disa prej arritjeve të këtij bordi.

“Akreditimi institucional që u bë në vitin 2017 nga ky bord, në bashkëpunim me Agjencinë Britanike të Akreditimit dhe sot të gjitha Universitet shqiptare vazhdojnë natyrshëm procesin e riakreditimit. Çka ka sjellë një realitet të ri pozitiv në ballafaqimin e diplomave shqiptare jashtë vendit dhe sidomos njohjen e tyre në vendet e BE-së e më gjerë”, tha Kushi.

Sipas saj, që prej vitit 2019, në procesin e akreditimit janë përfshirë për herë të parë edhe të gjitha universitetet publike, pasi në fakt të gjitha universitetet jo publike e kanë nisur procesin e akreditimit që në vitin 2006, por tashmë ka ardhur koha që të gjitha institucionet e arsimit të lartë dhe universitet të përfshihen në këtë proces dhe të konkurrojnë me programet e tyre.

Ajo theksoi se sondazhi i parë i studentëve që u realizua në 2019, dha një informacion me shumë vlerë për mënyrën sesi funksiononin universitetet tona, që nga kurikulat, infrastruktura, mësimdhënie etj, që lidheshin me cilësinë e universiteteve.

“Pas një procesi të gjatë dymujor për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Bordit, ku ne shpallëm një thirrje të hapur ndërkombëtare për të ftuar ekspertë dhe profesorë të arsimit të lartë dhe të cilësisë, nga vende të ndryshme të botës dhe thirrjes tonë iu përgjigjën 111 profesorë të nderuar, nga të cilët u përzgjodhën 11 prej tyre, të cilët me përvojën dhe përkushtimin e tyre do të punojmë së bashku për rritjen e vlerësimin e cilësisë në arsimin e lartë në vendin tonë” deklaroi Kushi.

Ministrja nënvizoi se “sfidat që kemi përpara janë të mëdha dhe rritja e cilësisë në arsimin e lartë, është një nga objektivat madhore të qeverisë tonë por edhe në Strategjinë e Arsimit, që sapo e kemi përfunduar pas një pune 1 vjeçare, si dhe në vizionin tonë “Shqipëria 2030”.

Kushi tha se, në kuadër të këtij objektivi kemi hapur dyert e universiteteve tona për të bashkëpunuar me universitetet më prestigjoze europiane dhe botërore, duke hartuar programe studimi të përbashkëta, programe të dyfishta.

“Sfida jonë është rishikimi i standardeve të cilësisë në arsimin e lartë për t’u afruar sa më shumë me standardet europiane” deklaroi ministrja Kushi.