Ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare Mjeshtri i Madh i humorit shkodran dhe mbarë shqiptarë, Paulin Preka. Kolosi i humorit shqiptar mbylli përgjithmonë sytë në Itali, ku jetonte prej vitesh me familjen e tij.

Paulin Preka ka lindur në Shkodër më 2.02.1935 në një familje të varfër. Ai kishte edhe një vëlla më të madh dhe dy motra. Puna e lodhshme e të atit, një punëtor shumë i nderuar dhe përkujdesja e jashtëzakonshme e së ëmës, i rritën dhe i edukuan me dashurinë ndaj Zotit, ndaj mëhallës, ndaj vendlindjes, por edhe ndaj intergrimit të tyre në vlerat qytetare të Shkodrës dhe që ishin rruga ku Paulini hodhi hapat e parë, i prirur nga talenti i tij për të shkruar biografinë e tij artistike, e cila vite më vonë do ta radhiste në brezin e artë të aktorëve që krijuan një plejadë të papërsëritshme.