Gjatë ditës së djeshme, teksa kancelarja Merkel vizitonte Tiranën, një lajm i rremë u përhap fillimisht nga një gazetar malazez, Aleksander Brezar, i cili shkruante në twitter se Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç nuk është lejuar të futet në Shqipëri në doganë, për shkak se nuk kishte një test PCR të vlefshëm apo pasaportën e vaksinimit anti-Covid. Teksa kryeministri malazez ishte live në media pranë kancelares Merkel, reagoi edhe Drejtori i Komunikimit të Kryeministrit Rama, Endri Fuga, që njoftoi se në fakt, kryeministri malazez kishte mbërritur përmes fluturimit me avion në Tiranë.
“Me sa duket ju nuk keni pyetur asnjë nga autoritetet shqiptare dhe unë po ju them se cfarë thoni është një lajm i rremë. Dhe nuk shoh asnjë citim nga ndonjë autoritet i Malit të Zi. Ndaj ju lutem, kursejini lajmet e rreme. Fokusohuni te gazetaria”, i shkroi Fuga gazetarit malazez në twitter.
Pra Fuga konfirmon kështu se gazetari jo vetëm qe nuk iu drejtua autoriteteve shqiptare për të konfirmuar lajmin para se ta publikonte, por as nuk citonte ndonjë burim qeveritar nga Mali i Zi për pretendimin e tij.
Pavarësisht sqarimit, Breezar këmbënguli sërish në lajmin e rremë ndonëse ai vetë nuk citoi asnjë fakt apo burim zyrtar të Malit të Zi për informacionin që shpërndau.
“Por ku ishin faktet? Një makinë bosh që kthehet mbrapsht për shkak të protestave të punëtorëve? Fotoja e kryeministrit Malazez në Tiranë? Apo avioni qeveritar i Malit të Zi në Tiranë?”, iu drejtua sërish drejtori i komunikimit në Tiranë, gazetarit malazez.
Më vonë gjatë mbrëmjes, gazetari pranoi gabimin e tij, të mosverifikimit të informacionit që ai shpërndau.
Ai shkroi në twitter se një përfaqësues nga zyra e marrëdhënieve publike të qeverisë Malazeze deklaroi për median lokale Antena M se Krivokapić mori avionin për në Shqipëri që në fillim.
Pra në mungesë të plotë të fakteve, i mjaftuar vetëm me një video ku një makinë bosh kthehet mbrapsht për shkak të protestave të punëtorëve në kufirin shqiptar, pa asnjë burim zyrtar që mbështet pretendimin e tij, gazetari malazez na rikujtoi se lajmi i rremë mbetet ende një sëmundje që përhapet me shpëjtësi dhe fatkeqësisht nga njerëzit që duhet ta ndalonin atë, gazetarët dhe njerëzit e medias.