Nga Mero Baze/Sali Berisha në fakt po përpiqet të shpëtojë Lulzim Bashën, dhe jo e kundërta. Në historinë e përballjes së Berishës me SHBA, pas futjes familjarisht në “Listën e zezë” si minues i demokracisë, shantazhues i sistemit të drejtësisë dhe përfitues i të ardhurave të paligjshme nga pushteti, nuk ka ndonjë luhatje.

Berisha nuk e ka pranuar epitafin që ka vulosur vdekjen e tij politike që ditën e parë. Ata që e njohin sadopak Berishën janë të qartë se nuk do të ketë ndonjë zbrapsje të tij nga kjo histori. Ai nuk po lufton më për të qëndruar në politikë, por për t’u mbrojtur me politikë.

Prej fillimit të kësaj historie, çështja ka qenë si do të shpëtonte Lulzim Basha nga kjo histori, dhe jo si do shpëtonte Berisha. Në fakt, në monologun e fundit me zëdhënësen e tij, Berisha nuk kërcënoi Lulzim Bashën dhe as shantazhoi dikë tjetër. Në Partinë Demokratike nuk ka asnjë zë serioz kundër tij. Ata që mbahen si intelektualë në parti, udhëzojnë Lulzim Bashën si të bëjë ndonjë marifet që të shpëtojë nga Berisha, por nuk flasin vetë çfarë mendojnë për këtë histori. Kështu që Berisha nuk ka kë shantazhon në PD.

Vetë Lulzim Basha nuk i ka shprehur asnjëherë asnjë lëkundje për pozicionin e tij. E vetmja gjë që Berisha di, dhe këtë e di po nga Lulzim Basha, pasi siç ka thënë publikisht, ai i raporton çdo bisedë me ambasadoren amerikane, është se amerikanët i kanë kërkuar Bashës ta heqë nga grupi parlamentar.

Për ta shpëtuar Bashën nga ky siklet, Berisha në monologun e tij të djeshëm, lëshoi kërcënime për ata që i bëjnë presion Bashës, dhe jo kërcënime për Bashën. Kërcënimi ishte për SHBA, që i kërkon Bashës të distancohet nga Berisha dhe të pastrojë PD-në. Berisha thjesht u tha që nuk ua jap PD-në, po deshët merrni atë që deklarohen kundër meje.

Në këtë aspekt ai e ka lehtësuar Bashën, pasi ia ka bërë të pamundur në sytë e aleatëve të tij të heshtur, betejën me Berishën. Berisha do ta kishte vënë në pozitë të vështirë Bashën sikur të dukej si viktimë dhe sikur të bënte sikur kishte frikë Bashën. Por duke i treguar derën e partisë, siç bëri dje, pa ia përmend as emrin, ai i ka krijuar atij alibi më të fortë se “sëmundja e babait”, për të mos shkuar në mbledhje.

Për fat ka dhe vjehrrin gjallë, dhe herën tjetër mund ta shtyjë me sëmundjen e tij, që është arsye dhe më e fortë për të. Por më shumë se sëmundja e babait, apo vjehrrit, atë e ka shpëtuar vetë Berisha, vjehrri politik i tij, që e ka futur dhëndër brenda në parti dhe nuk ka ndërmend t’i lërë pjesë në pajë. Sidomos kur mendon që nuk e do pajën për vete, por për SHBA.