Ish-anëtari i Kryesisë në Partinë Demokratike, Fatbardh Kadilli e ka konsideruar një turp presionin e amerikanëve ndaj Sali Berishës. I ftuar në emisionin “Real Story”- ai tha se Berisha duhej të kishte dhënë dorëheqjen menjëherë pas humbjes së zgjedhjeve. Ai po ashtu bëri fajtor Lulzim Bashën se në 8 vite nuk ka krijuar një opozitë të mirëfilltë. “Basha nuk ka një qëndrim parimor. Kryetari duhet të fliste me parime. Nëse Berisha presohet të largohet nga amerikanët është turp. Duhej të kishte dhënë dorëheqjen pas humbjes. Na la një zgjatim përtac i cili nuk e zëvendësoi dot Berishën. 8 vite janë të mjaftueshme të projektosh një opozitë që t’u japë përgjigje shqiptarëve. Mungesa e konkurrencës në parti është një problem i madh. Ne na duhet një opozitë e re dhe kjo nuk zgjidhet me kalkulime për të ruajtur karrigen e Lulzim Bashës”- tha Kadilli
Ndërkohë analisti Skënder Minxhozi e ka konsideruar rastin e Berishës si sprovën më të madhe të PD. Sipas tij PD ka dhënë modelin më të keq ne 30 vite në mënyrën se si trajtohet mendimi ndryshe. “Në një vend ku të gjithë shohin njëri-tjetrin është shumë vështirë të bësh drejtësi, të dënosh dikë, të vësh rregulla. Jeni një sistem partitokracie. Rasti i Berishës është sprova më e madhe e P-D-së. PS e ka kaluar sepse Nano iku vetë. Do të ishte e cuditshme nëse PD do të kishte garë. Është një parti që ka dhënë modelin më të keq në 30 vite se si do të trajtohet mendimi ndryshe. Do habitesha nëse Lulzim Basha do ta trajtonte në forume temën e Berishës”- tha ai.