Kreu i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj thekson se COVID-19 sjell ndërlikime tek gratë shtatzëna.
Ai iu përgjigjet disa pyetjeve të rëndësishme lidhur me vaksinimin ose jo kundër koronavirusit të grave shtatzëna, atyre që ushqejnë fëmijët me gji apo fëmijëve.
Brataj ka publikuar të dhënat e studimit shkencor të bërë në Itali, ku mes të tjerash thuhet se “pa vaksinë mundësia e pasojave serioze është e lartë për gratë shtatzëna, neonatët dhe fëmijët”.
“A duhen të vaksinohen gratë shtatzëna? A duhet të vaksinohen gratë që ushqejnë fëmijët me gji? A duhet të vaksinohen fëmijët? Këto janë disa nga pyetjet e drejtuara! Në përgjigje të këtyre pyetjeve po publikoj një notë të përbashkët të shoqërive shkencore të këtyre fushave të bërë në datën 1 shtator 2021 në Itali”, shkruan Brataj.
“COVID-19 përfaqëson një problem serioz për shëndetin nga pikëpamja klinike dhe është një sëmundje shumë serioze, veçanërisht për të moshuarit dhe disa kategori të tjera pacientësh. Këto karakteristika të sëmundjes nuk duhet të injorojnë manifestimet e COVID-19 tek gratë e reja shtatzëna, ato të cilat sapo kanë lindur (lehonat), ose kur janë duke ushqyer me gji. Po ashtu kujdesi duhet të shtrihet te të porsalindurit dhe fëmijët. COVID-19 është më serioz në disa kategori personash me patologji të tjera dhe moshat e treta, por shpërndarja e tepërt e informacionit nga burimet jo zyrtare, lajmet e rreme (fake news), të cilat na bombardojnë për momentin, rrezikojnë të krijojnë një perceptim të gabuar të rrezikut dhe pasojave në gratë shtatzëna, neonatët dhe fëmijët”, theksohet në studimin shkencor të publikuar nga Brataj.
“Një apel vjen nga presidentët e shoqërive shkencore italiane të cilat nënvizojnë këtë në një notë të përbashkët: Shoqëria e Neonatologjisë, Pediatrisë, Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, Obstetër-Gjinekologëve, e Mjekësisë Perinatale të Italisë. Në shënim theksohet se disa studime me cilësi të lartë janë kryer në muajt e fundit, të cilat theksojnë se si:
– COVID-19 mund të ketë manifestime më serioze te gratë shtatzëna sesa jashtë shtatzënisë;
– Shtatzënitë e ndërlikuara nga COVID-19 më shpesh çojnë në lindje të parakohshme, e cila mund të rrezikojë seriozisht jetën e foshnjës dhe të krijojë të gjitha komplikimet tipike të lindjes së parakohshme;
– Virusi SARS-CoV-2 mund të transmetohet, edhe pse rrallë, nga nëna tek fetusi dhe të shkaktojë raste të rralla të COVID-19 neonatale, madje edhe të rënda;
– Covid-19 në moshën pediatrike mund të ketë pasoja serioze jo vetëm në fazën akute, por edhe pas disa javësh siç është sindroma inflamatore multi-sistemike (PIMS)”, vijon studimi.
“Shoqëritë shkencore thonë se: Është e nevojshme të kuptohet se, me rritjen e përhapjes së vaksinimit në grupmoshat e tjera, fëmijët më të vegjël fillojnë të përfaqësojnë një popullsi që është proporcionalisht më e rrezikuar, sepse është e ndjeshme ndaj infeksionit SARS-CoV-2, në krahasim me njerëzit e vaksinuar. Vaksinat e miratuara posaçërisht për fëmijët nën moshën 12 vjeç nuk janë ende në dispozicion, por studimet tregojnë qartë, se si antitrupat e prodhuar nga nënat e vaksinuara, kalojnë në gjakun e fetusit përmes placentës dhe në qumështin e gjirit, duke mbrojtur kështu të sapolindurit dhe foshnjat. Përvoja e grumbulluar në këta muaj të fushatës së vaksinimit, e kombinuar me të dhënat paraklinike, tregon qartë se si vaksinat me mRNA janë absolutisht të sigurta për gratë shtatzëna dhe ato që ushqejnë me gji. Në disa qendra referimi në të gjithë botën (të tilla si Parisi, Izraeli, Belgjika, Irlanda, SHBA), vaksinimi gjatë shtatzënisë ofrohet në mënyrë rutinë. Nuk ka kundërindikacione të veçanta për shtatzëninë, ato janë të njëjtat si pjesa tjetër e popullsisë për vaksinimin. Vaksina nuk ndikon në fertilitetin e gruas, as nuk ka ndonjë arsye për të shtyrë një shtatzëni”, theksohet në studim.
“Shënimi i përbashkët i tyre nënvizon faktin se vaksinimi anti-SARS-CoV-2 nuk është i kundërindikuar në shtatzëni. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) publikoi një dokument të datës 25 qershor 2021 ku theksohet: OBSH nuk rekomandon testin e shtatzënisë para vaksinimit. OBSH nuk rekomandon shtyrjen ose ndërprerjen e shtatzënisë për shkak të vaksinimit”, vijon studimi shkencor i bërë në Itali.
“Prandaj apeli përfundimtar i shoqërive shkencore është: Të promovohet vaksinimi i grave shtatzëna. Të promovohet vaksinimi gjatë ushqimit me gji (laktacionit). Të promovohet vaksinimi i fëmijëve mbi moshën 12 vjeç (dhe më i vogël kur vaksinat e dedikuara janë në dispozicion)”, përfundon studimi.