Pas kundërshtimeve të shumta nga disa ligjvënës dhe qytetarë të shumtë autoritetet në Britani të Madhe kanë vendosur të mos kërkojnë pasaportën e vaksinimit kundër koronavirusit për hyrje në klube të natës dhe organizime tjera me shumë njerëz. Sekretari britanik për Shëndetësi, Sajid Javid ka deklaruar se qeveria britanike po e shtyn këtë vendim për disa kohë, mirëpo do ta rikonsiderojë atë nëse rritet shumë numri i të infektuarve me koronavirus.

“Ne kemi bërë analiza dhe ndonëse duhet të ekzistojë si mundësi potenciale, e them me gëzim se nuk do të çojmë përpara planet për pasaportë të vaksinimit”, ka thënë Javid.

Pasaportat e Shëndetit aktualisht po përdoren në disa vende evropiane si Franca dhe Italia. Ata që kanë dëshmi vaksinimi mund të kenë qasje në një mori organizimesh si dhe në biznese siç janë restorantet. Vendosja e detyrueshme e pasaportës së shëndetit në këto vende ka shkaktuar reagime të shumta.