Kontrolli mjekësor bazë apo siç njihet ndryshe check-up pas një ndërprerjeje për shkak të pandemisë, ka rifilluar të ofrohet falas për të gjithë qytetarët të moshës 35-70 vjeç në çdo qendër shëndetësore. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka publikuar videon e disa mjekëve dhe qytetarëve të cilët apelojnë për ta kryer kontrollin mjekësor bazë për të indentifikuar në kohë problemet shëndetësore që mund të kenë.
“Kontrolli mjekësor bazë është një kontroll i plotë të cilët e përfitojnë të gjithë qytetarët nga 35-70 vjeç. Është një kontroll mjekësor që rekomandohet për arsye depistuese për një sërë sëmundjesh që mund të prekin këtë grupmoshë në mënyrë ndoshta edhe të fshehtë nga ana klinike”, tha Dr. Ursina Hajdini, mjeke në Qendrën Shëndetsore nr. 2 në kryeqytet.
Dr. Blerta Berberi mjeke pranë qendrës shëndetësore nr. 8 në kryeqytet tha se janë mjekët e familjes ata që kanë të evidentuar të gjithë grupmoshën 35-70 vjeç që përfiton falas këtë shërbim dhe bën njoftimin e tyre në mënyrë graduale për të shmangur dhe grumbullimet.
“Mjekët e familjes kanë të evidentuar të gjithë grupmoshën 35-70 vjeç që përfiton falas këtë shërbim dhe bën njoftimin e tyre në mënyrë graduale për të shmangur dhe grumbullimet si dhe sipas prioriteteve duke njoftuar më parë të sëmurët kronike, apo pacientët postcovid të cilët kanë manifestuar komplikacione të ndryshme”, tha Dr. Blerta Berberi.
Ndërkohë që qytetarët e vlerësojnë këtë shërbim sidomos nga ata të cilët kanë kaluar covid19
“Pasi kam kaluar dhe covid19 isha shumë e interesuar për të parë gjendjen time shëndetësore. Mendoj që është ekzaminimi më i mirë që mund të bëjmë duke qenë se është dhe një shërbim që ofrohet falas për ne që jemi mbi moshën 35 vjeç”, tha një nga qytetarët që ka kryer kontrollin mjekësor bazë.
“Jemi në një situatë postcovid, kështu që duhen bërë verifikimet e gjendjes shëndetësore për këtë periudhë. Kushdo e ka mundësinë, le ta shfrytëzojë për ta bërë këtë”, tha një tjetër qytetare.