Gjermania planifikon të vërë në dispozicion 100 milionë doza vaksine antiCOVID-19 për fushatën ndërkombëtare të vaksinimit, para fundit të vitit, njoftoi ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn gjatë një takimi ministror të G20-s.

“Kjo është e barabartë me sasinë që kemi përdorur për vaksinimin në vendin tonë deri më tani”, tha Spahn. Ai shtoi se kontributi do të ndihmojë drejt qëllimit për të vaksinuar të paktën 40 për qind të popullsisë botërore para vitit 2022.

“Pandemia mbaron vetëm kur të ketë mbaruar në të gjithë botën”, shtoi ai, duke paralajmëruar për rrezikun që paraqesin variantet nga mungesa e një përgjigjeje globale. Ministrat e Shëndetësisë të G20-s janë mbledhur aktualisht në Romë për të diskutuar hapat e ardhshëm në përpjekjen globale për të kontrolluar pandeminë e COVID-19.